Rreth një orë më vonë, ishte rreth tetë e gjysmë e darkës, rrobat e tyre ishin shpërndarë në tokë rreth krevatit të Cliff-it, dhe Timorina po humbiste virgjërinë e saj.
Duke kujtuar atë mbrëmje fatale pak muaj më pas Timorina u elektrizua, po u përpoq që mos ta shfaqte përpara të vëllait. Thelbësisht i kishte thënë të vërtetën, mbi muzeun, mbi pikturën, mbi diskutimet teknike; i vetmi ndryshim i përkiste personit të interesuar. Për momentin, i tha vetes, do ta kishte mbajtur gjithçka për vete. Më vonë, ndoshta, nëse gjërat do të konsolidoheshin, do tia kishte treguar.
U ngrit dhe filloi të pastronte tavolinën. Drew e ndihmoi, pastaj u drejtua nga kolltuku i tij. Ishte gati të ulej, kur ndërroi mendim.
<Dëgjo, të vjen keq nëse shkoj të pi një birrë?>
<Aspak. Mos u kthe shumë vonë. Dhe mos pi shumë.> e paralajmëroi.
<Rri e qetë.> iu përgjigj i dashur.
Drew shkoi në dhomën e tij dhe me shpejtësi veshi një veshje sportive. Zbriti dhe përshëndeti të motrën.
<Shihemi. Mirupafshim.>
< Mirupafshim.>
Dera sapo ishte mbyllur pas Drew-së dhe Timorina ishte ulur tashmë në kolltuk. Me një buzëqeshje në gjithë fytyrën morri dorezën e telefonit dhe formoi një numër.
Po i telefononte Cliffit.
Drew iu drejtua me hap të qetë birrarisë së tij të preferuar. Ishte në një rruginë jo larg Universitetit dhe here pas here shkonte për të thithur pak nga ai ambient i mobiluar me dru antik, stola të fortë dhe nxjerrës gjigandë për birrën. I pëlqente ajo botë në mënyrën e vjetër, me dritat e ulura dhe ngjyrat e ngrohta të kohëve të vjetra. Konsumatorët ishin pak a shumë burra të pjekur, si ai, po kishte gjetur edhe çifte të reja që dinin të vlerësonin një birrë të mirë të shijuar në mënyrën e duhur, dhe në vendin e duhur.
Ajri ishte i freskët, edhe i ftohtë në atë orë, dhe Drew e thithi me gjithe mushkritë, duke u gjallëruar në çdo hap. E donte Manchesterin e tij, ishte pjesë e atij qyteti, dhe ndjente që qyteti ishte pjesë e tij.
Dhe çfarë po i tregonte tani Manchesteri i tij?
Epo mirë: Schultz, që vinte drejt tij duke parë përreth pak i hutuar dhe duke ecur me hap lëkundës. Kur po kalonte afër një ndriçuesi figura e tij prej luftëtari gjerman dilte nga errësira si një banor i turpshëm i territ, për tu zhdukur pastaj në errësirë pak metra më trutje.
Drew qeshi nën hundë, duke iu dukur skena qesharake. Tundi dorën dhe e thirri.
<Dieter! Miku im!>
Schultz pa në drejtimin e tij dhe shmpiu shikimin.
<Oh! Drew!> theksoi duke e njohur pas një çasti. <Miku im, jam i lumtur të të takoj! Po kërkoj një vend simpatik për të darkuar dhe nuk po arrij të orientohem. Çfarë më këshillon?>
<Asnjë këshillë, por një ftesë! Po shkoj tek birraria ime e preferuar, dhe atje kanë edhe një kuzhinë të mirë tipike angleze. Jam i sigurtë që do mund të kënaqësh oreksin tënd në mënyrën më të mirë, dhe të ujisësh darkën tënde me një birrë të mirë. Këtej!> dhe e morri nga krahu duke ia ndryshuar drejtimin e marshimit.
<Oh, epo, faleminderit, Lester.> pranoi Schultz duke e ndjekur atë në mirëbesim. <Pas laboratorit hyra në banesën time dhe të betohem që u shemba në krevat i veshur. Më zuri menjëherë gjumi thellësisht dhe u zgjova vetëm pak më parë, me një uri të tmerrshme. Jam i kënaqur që të kam takuar.>
<Jam i kënaqur edhe unë. Një birrë në shoqëri është gjëja më e mirë për burrat e lodhur, pas një dite si e jona.> dhe i shkeli syrin.
<Në lidhje me burrat e lodhur, shiko pak atje poshtë!> Schultz tregoi me gisht përpara vetes, nja pesëdhjetë metra largësi.
Drew ndoqi drejtimin e mikut. Po kalonin në Sackville Park, dhe një figurë e errët rrinte ulur drejt në stolin e Turingut, në krah të statujës së gjeniut.
Nuk të duket...?> pyeti Schultz-in.
<Po.> konfirmoi Drew duke shkundur shikimin. <Po, është ai.>
<Kamaranda.> përfundoi Schultz duke pohuar.
Ecën në qetësi derisa arritën përpara indianit, dhe atje ndaluan.
Kamaranda ishte zhytur në meditime, siç edhe pritej. Kaluan disa sekonda, pastaj duke e kuptuar prezencën e tyre i njohu. Ngriti shikimin dhe i njohu. Një buzëqeshje iu pikturua në fytyrën ngjyrë kafeje, dhe u ngrit pa thënë asnjë fjalë. U drejtua bashkë me ta për nga birraria.
Ole Sinner Tavern ishte ngulitur në një banesë shumëkatëshe anonime që kufizonte një anë të një rruge të vogël pak të ndriçuar. Një ndriçues i verdhë tregonte hyrjen e lokalit dhe një tavolinë druri me një shkrim të trashë gërryer me shkronja të mëdha ishte mbështetur përbri portës. Shkrimi ishte lyer në të kuqe të errët, pak e konsumuar nga koha, e konsumuar si dhe pjesa tjetër ishte edhe tavolina që çdo ditë zhvendosej për të liruar trotuarin, për tu sistemuar pastaj në vendin e saj. Pamja e jashtme ishte e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Një unazë e trashë tunxhi ishte fiksuar mbi drurin e fortë të portës dhe jepte përshtypjen që duhej ti bije për të hyrë dhe të hapej. Asgjë nga gjithë këto. Sapo të tre burrat arritën afër hyrjes porta u hap nga një hanxhi me përparëse dhe mustaqe në stilin e revolucionit industrial. I përshëndeti me besueshmëri dhe i çoi drejt e tek një tavolinë e lirë. Schultz dhe Kamaranda u mrekulluan, por Drew iu shpjegoi menjëherë trukun.
<Ka një qelizë fotoelektrike mbi portë. Kur dikush afrohet më pak se tre metra nga hyrja qeliza fotoelektrike bën të bjerë një zile në brendësi dhe mikpritësi vjen ta hapë. Është gjithmonë në lëvizje dhe zakonisht vjen në kohë, përndryshe e gjen gjithmonë përtej pragut që të uron mirëseardhjen. E dini, të kënaq fakti që të jesh i pritur me dëshirë.>
Kolegët pohuan fuqishëm ndërsa ishin duke zënë vend. Në një botë ku individualizmi po bëhej filozofia predominuese e jetës, në të cilën mos interesimi për tjetrin ishte praktikë e përditshme dhe respekti për tjetrin as nuk iu mësohej më fëmijëve, të gjeje një vend në të cilin ishin të kënaqur për ardhjen tënde dhe do të ishin dhembshurisht bujarë për ty të bëhej zemra mal, fjalë për fjalë.
Drew buzëqeshi gëzueshëm, duke parë shokët e tij të kënaqur të merrnin menutë. Ndërsa ai morri listën e birrave, edhe pse e dinte tashmë çfarë do kishte porositur.
<Çfarë na këshillon, Drew?> pyeti Schultz duke u vendosur më së miri mbi karrigen e rëndë prej druri të fortë. Duhet të kishte shumë uri.
Kamaranda përshkonte listën duke shtrënguar nga pak sytë në dritën e zbehur të lokalit.
<Po, çfarë na këshillon? Je pronari i shtëpisë, këtu.> u bashkua edhe indiani.
<Unë kam ngrënë tashmë, prandaj do të marr një birrë të mirë. Për ju këshilloj një Steak Balmoral të mirë, që është një biftek i bërë në tigan me kërpudha, whisky, krem dhe erëza të ndryshme. Është shumë i mirë dhe i ushqyeshëm.>
Që të dy kërkuan pjatën mbi menu dhe lexuan përshkrimin e detajuar.
<Në rregull pa tjetër.> qe Kamaranda i pari që aprovoi. Schultz pohoi i bindur dhe mbylli menunë, duke e vendosur në një cep.
<Unë do të marr një old ale.> tha Drew. <Është e zezë, me malt dhe rreth 6 gradë alkool. Mendoj që është perfekte edhe për pjatat tuaja.>
Schultz ishte një pirës i rregullt i birrës, si gjerman që ishte, dhe miratoi menjëherë. Kamaranda iu bashkua, pikërisht ndërsa po arrinte hanxhiu të merrte porositë. Kishte një bllok të vogël me letër të verdhë me katrorë dhe një laps të harxhuar nga përdorimi. Drew porositi për të gjithë dhe hanxhiu u largua.