Shenjat e lidhjeve ishin ngjyrë e kuqe e errët dhe të thella. Maoko filloi ti masazhonte duart me një lëvizje delikate por të rehatshme. Fillimisht norvegjezja u ankua pak, por pastaj u qetësua, duke ndjerë që qarkullimi i gjakut po normalizohej përsëri. Maoko vazhdoi masazhin edhe për një minutë tjetër, pastaj duke e mbajtur nga duart e ngriti në këmbë. I morri çantën dhe ia vendosi mbi sup. Ndërsa po linte rripin e çantës Novak i mbështeti me delikatesë një dorë mbi të sajën, me fytyrën që i shprehte mirënjohje të përzjerë me një manifestim konfuzioni të brendshëm.
Maoko e pa në sy.
<Shko të flesh, Novak.>
<Unë...> u përpoq norvegjezja, me zë hezitues.
<Shko të flesh, Novak.> përsëriti Maoko, duke tërhequr dorën dhe duke hapur derën.
Novak qëndroi një moment, e pavendosur, pastaj ngadalë iu afrua pragut, mbështeti një dorë mbi tavolinë dhe u kthye të shikonte përsëri Maokon.
Mbi fytyrën e japonezes ishte pikturuar një shprehje e padeshifrueshme.
Norvegjezja u kthye, nguruese, dhe me hapa të pasigurtë u drejtua nga banesa e saj, pak më përpara.
Kapitulli XIII
<Po si je sajuar kështu?!> i bërtiti Timorina Drew-së duke parë të vëllain që hynte në shtëpi.
Drew pa veten për herë të parë, atë mbrëmje.
Pas provës së makinerisë së dytë, me incidentin përkatës të salcës me domate, kishte larguar të gjithë dhe kishte pastruar dyshemenë e laboratorit nga e vjella e tij. Nuk do kishte mundur tia kërkonte këtë asnjë tjetri për ta bërë, as edhe dikujt nga pastrimi. Si do ta kishte shpjeguar një gjë të tillë? Do kishte bërë një figurë të keqe, në çdo rast. Ndërsa, duke bërë kështu, askush nuk do vinte të hetonte.
Por, në fund, e kishte xhaketën dhe këmishën të ndotur me të vjella të verdha dhe me kokrriza. Pantallonat, madje, ishin një tmerr i papërshkrueshëm. Nga gjunjët e poshtë ishin përlyer me një përbërje me erë të keqe e të pështirë, rezultat si i vjelljes ashtu edhe i pastrimit që bëri.
Drew nuk kishte qenë i kujdesshëm të mos bëhej edhe më tepër pis dhe ky ishte rezultati. Një kostum i errët i shtrenjtë ishte në kushte të dëshpëruara, dhe motra e tij do e bënte të paguante për këtë.
<Jam ftohur. Nuk kam qenë mirë. Çfarë mund të bëj?> gënjeu duke u përpjekur të justifikohet.
<Ah ashtu?> qe përgjigjja e duruar e motrës. <Sapo kam mbaruar së sistemuari kostumin tjetër, atë që pa më thënë asgjë e ke lënë sot në mesditë mbi shtrat!>
Drew u drithërua. Eh, po. Ishte edhe veshja e përfshirë në shpërthimin e mëngjesit.
Toni qortues u rrit.
<Ai ishte vetëm i plurosur dhe i zhubrosur. Vetëm, fjala që bie, sepse duhen orë për të larë dhe hekurosur xhaketën në mënyrë perfekte, pantallonat, këmisha dhe kravata. Ti mesa duket nuk e kupton, përndryshe nuk do e kishe bërë edhe këtë!> tha duke treguar me dorë drejt tij.
Drew nuk u përgjigj dhe shkoi direkt në banjo të zhvishej. I hoqi të gjitha. Futi këmishën e bardhë dhe bluzën e brendshme në lavatriçe. Nuk lante kurrë rrobat, prandaj u përpoq të orientohej: rrotulloi dorezën e programimit tek simboli i të pambuktave dhe filloi ciklin. Futi xhaketën dhe pantallonat në vaskën e dushit dhe me tubin e dushit lau gjithë të vjellën. Përdori ujë të ftohtë sepse, mesa dinte, nuk i mblidhte rrobat. Shpresonte që kishte vepruar në mënyrën e duhur. I la të gjitha në banjo dhe bëri një dush, pastaj shkoi në dhomë të gjumit dhe veshi pizhamat. Pikërisht në këtë moment pati një iluminim. Detergjenti! Nuk kishte hedhur detergjent. Vrapoi drejt banjos, por tashmë ishte shumë vonë. Timorina ishte atje dhe po shikonte nga dera e lavatriçes, duke tundur kokën. U ngrit dhe pa nga Drew me pamje vetëpërmbajtjeje, duke vazhduar të tundte kokën.
<Shko fli, Lester. Merrem unë, me këtë.> përfundoi e dorëzuar.
Drew psherëtiu dhe u tërhoq në dhomën e tij.
Sikur ta kishte ditur Timorina për atë që kishte ndodhur atë ditë në laborator! Të rënë të fikët, shpërthime, terror dhe tronditje. Por edhe fitore e shkencës! Një hap përcaktues drejt një epoke të re të historisë njerëzore. E dinte që ishte një idealist, por ndiente brenda vetes që tashmë ishin nisur drejt suksesit dhe ato incidente ishin shumë pak krahasuar me rezultatin e jashtëzakonshëm që i priste.
U fut në rroba në shtrat.
Dëgjonte Timorinën në banjo që kalonte një furçë mbi rrobat, për ti pastruar me themel. Po, kështu duhej bërë. Po ai, nga ta dinte? Mendonte për fizikën, ai, për majat stratosferike të mendimit, për pushtimet e mendjes, për mbledhjen e së nesërmes për të përcaktuar pikën e kërkimit...
Ra në gjumë duke lënë dritën të ndezur.
Ëndërroi sikur ishte në një dhomë të verdhë, menjëherë pas në një dhomë të kuqe, pastaj përsëri në të verdhën dhe pastaj në të kuqen, duke kaluar nga njëra tek tjetra papritur, pa tranzite të perceptueshme, me shpejtësi rritëse, gjithmonë e më shpejt, derisa filluan ti merreshin mend dhe nuk pa më asgjë. Në sfond ndjente një gurgullimë uji të përzier me zëra të acaruar që flisnin çmendurisht, por ai nuk kuptonte se çfarë thonin. Ishte i burgosur në atë vorbull ngjyrash dhe zërash, i mërzitur, i paaftë të mendonte ose të ndërmerrte çfarëdo lloj veprimi, kur papritur u zgjua.
Zilja e orës binte shpërthyeshëm, duke përplasur shkopin e saj mbi këmbanën e madhe prej tunxhi dhe duke u zhvendosur madje mbi komodinë, falë vibrimeve të shkaktuara nga mekanizmi në veprim.
Drew u ngrit menjëherë, mbuluar nga djersët, i tronditur, plotësisht i çorientuar. Nuk e dinte se ku ndodhej, lëvizte në kërkim të ajrit duke tundur krahët rreth vetes. Pas disa sekondave filloi të rikthehej; shkundi kokën për të qartësuar trurin dhe u rrotullua të shikonte orën. Duke lëvizur, kishte arritur në buzë të komodinës dhe ishte gati të binte. E kapi në kohë dhe shtypi butonin e pushimit të ziles.
Qëndroi me orën në prehër për disa minuta, akoma i hutuar, pastaj e mbështeti në komodinë dhe u ngrit. Ishte ora shtatë e gjysmë; mbledhja ishte në orën nëntë, ndaj me qetësi bëri një dush tjetër për të hequr gjithë atë djersë nga trupi, hëngri një mëngjes të mirë dhe doli. Për fat Timorina ishte tashmë duke ujitur lulet e saj në pjesën e kopshtit nga prapa shtëpisë, prandaj duke dalë nga përpara ai arriti të mos e pikasnin. Kishte shmangur një tjetër qortim.
Ishin të gjithë, në laborator, përfshirë edhe McKintock-un.
<Si është situata?> u informua rektori.
Drew morri fjalën, i sigurtë në vetvete.
<Madhështore, për të përdorur një eufemizëm. Dje kolegët e mi > dhe me një hapje të gjerë të krahut përfshiu shkencëtarët e tjerë, madje edhe Marron <kanë arritur, në një ditë të vetme, të nxjerrin një teori bazë të fenomenit, të ndërtojnë një prototip të dytë të makinerisë dhe të kryejnë eksperimente të shumta shkëmbimi të kurorëzuara me sukses.>
McKintock ishte sinqerisht i impresionuar.
<Pra kur mund të fillojmë të përdorim makinerinë për qëllime praktike?>
<Jemi në fazën e teorisë bazë, që kërkon përmirësime.> vuri në dukje Drew. <Nuk duhet të duhet shumë, para se të mund të projektojmë dhe pastaj të ndërtojmë një makineri më të madhe.>
Schultz dhe Kamaranda u panë për një çast, të ngrysur në fytyrë, po McKintock nuk i vuri re.