Doli nga ndërtesa dhe morri makinën. Hyri në Oxford Road,
që kalonte në mes të kompleksit universitar në drejtim vertikal, dhe u drejtua në veri. U kthye në të djathtë në Booth Street East dhe pak më vonë u kthye në të majtë në Upper Brook Street. Një spostim i shkurtër dhe pastaj përsëri majtas për tu ngjitur mbi rampën e hyrjes në mbikalimin e Mancunian Way. Trafiku ishte mesatar, në atë orë, dhe një shi i vogël i lehtë dhe i vazhdueshëm lagte xhamin mbrojtës të makinës; fshirësja e xhamit mbante me lehtësi një shikim perfekt.
Nga Mancunian mund të shikonte pak nga Manchesteri i tij, qyteti në të cilin kishte lindur, dhe e donte më shumë se çdo qytet tjetër. Por, nuk mund të shpërqëndrohej shumë, sepse kjo rrugë ishte e njohur për numrin e madh të aksidenteve.
Motori ishte goxha i ngrohtë dhe kondicioneri filloi të nxirrte ajër të vakët në makinë.
Mancuniani u bë Dawson Street dhe që aty McKintock u kthye në të majtë në Regent Road. Tek rrethrrotullimi vijoi drejt në M602, që fillonte në atë pikë, dhe filloi të relaksohej.
Ndezi radion dhe e sintonizoi në kanalin që në atë orë transmetonte lajmet.
<... manifestimet e studentëve në Sheshin Tien An Men nuk duket se po pakësohen. Kjo ditë e tretë e demonstratës ka regjistruar përleshje të shumta dhe dyndje të policisë. Disa studentë janë arrestuar, ndërsa gazetarët janë mbajtur në largësi të konsiderueshme. Akoma është e ndaluar të bësh fotografi ose xhirime televizive. Kërkesa urgjente për demokraci duket nuk gërvisht murin e qëndrueshmërisë që qeveria kundërshon, ndërsa shtypja rezulton të jetë akoma përgjigjja e vetme ndaj rradhëve paqësore përgjatë sheshit...>
Të shkretët, mendoi McKintock, vërtet e kanë keq, këta. Do të donin vetëm pak liri dhe marrin veç shkopinj. Dhe ushtarët duhet të gjuajnë me shkopinj, ndryshe nuk ushqehen dhe i rrahin edhe ata pastaj, ose më keq. Është larg Kina, nga ne, në të gjitha kuptimet...
Në atë moment kujtoi takimin me Drew.
Po, Drew, që si papritur kishte nxjerrë jashtë nga kapelja atë zbulimin e tij, së bashku me atë studentin me ngjyrë. Si quhej? Nuk e mbante mend. Por implikimet i mbante mend që çke me të. Nëse në të vërtetë kishte një zbatim tregtar për atë zbulim, do të kishte qenë shumë e nevojshme për universitetin. Që kur qeveria Howard kishte vendosur ti ndërpriste fondet Universitetit të Manchesterit për tu dhënë një sasi më të madhe të tjerëve, ai përpiqej të mbante universitetin në nivelin e mëparshëm, por ishte praktikisht e pamundur. Çdo lloj aktiviteti kishte një kosto, dhe nëse kostoja nuk ishte e mbuluar aktiviteti nuk mund të kryhej. Pa debate. Pa apelime. Duhej hequr dorë. Dhe lulja në brimën e gjilpërës të sistemit universitar britanik po rrëshqiste në plan të dytë. Ishte një gjë e padëgjuar, absurde, megjithatë kështu ishte.
Drejtësi dhe barazi, kjo kishte qenë motua e Howard-it, dhe po e vinte në praktikë madje shumë mirë, ai bastardi.
Dritat e Salfordit po rrëshqisnin nëpër anët e rrugës, ndërsa shiu i lehtë ishte zvogëluar në disa pikëza sporadike mbi xham.
Një trafik i matur vinte nga drejtimi i kundërt. Ishin ata që hynin në qytet pasi kishin qenë jashtë tij për punë.
Ndërsa ai vazhdonte, numri i makinave pakësohej progresivisht, dhe kur arriti në lartësinë e Alder Forest dhe kur M602 u bë M62 u gjend në fushë të hapur.
Ideja e të transportuarit të pakove me sistemin e Drew-së i kishte ardhur impulsivisht, ndoshta nxitur nga një dokumentar mbi tregëtinë botërore që kishte parë disa ditë më parë, në të cilin ishin filmuar linja transporti për pako të përmasave të ndryshme, gjithmonë plot dhe gjithmonë në lëvizje. Ishte mbresëlënëse të shihje sa shumë mallra dërgoheshin me postë ose me ndërlidhës. Ishte patjetër një biznes i madh trasporti i mallrave, dhe të ishe në zotërim të një metode plotësisht inovative, të menjëhershme, të sigurtë dhe pak të kushtueshme do të kishte qenë me të vërtetë fitore. Asnjë konkurrencë, në këtë rast. Teknogjia do të ishte vetëm në dorë të tyre, dhe do mund të fitonin atë që donin. Duke parë përmasat e çështjes, kishte përshtypjen se Universiteti do të kishte mbetur qetësisht në nivelin në të cilin ishte mësuar.
Sigurisht, se si do pajtohej një administrim i thjeshtë administrativ, si ai i një universiteti, me një administrim të thjeshtë tregtar, si ai i një trasportuesi ndërkombëtar, ishte për tu përcaktuar. Ishte e nevojshme edhe të verifikohej nëse ligji lejonte një bashkim të tillë, edhe pse themeluar për mirëqënien e Universitetit. Duhej të këshillohej me ndonjë ekspert përkatës, sa më shpejt.
Sintonizoi radion në një stacion kushtuar muzikës klasike dhe për pak kohë vijoi të dëgjonte Bach-un. Passacaglia në Do minor ishte një vepër madhështore, shumë më superiore sesa e famshmja Toccata e Fuga në Re minor, dhe e ridëgjoi me kënaqësi të madhe.
Ndërkohë qytetet përgjatë rrugës ndiznin shkurtimisht fshatin e errët të North West. McKintock regjistroi vetëm ndonjë, i zhytur siç ishte në dëgjim: Risley, Westbrook, Rainhill.
Në fund të Passacaglia-s fiku radion, për të mbajtur brenda vetes ndjenjën e lartësisë që vepra i kishte transmetuar. Shija sublime që provonte e vinte në një ndjenjë faljeje, dhe ndihej shumë mirë. Lodhja e ditës ishte një kujtim, dhe kur kaloi Broadgreen autostrada mbaroi dhe ai filloi të hynte në Liverpool duke marrë Edge Lane Drive, u ndje i elektrizuar nga mendimi se do takonte Cynthia-n, të kalonte mbrëmjen dhe natën me të. Ishte një grua e jashtëzakonshme. I jepte gjithçka që një burrë mund të dëshironte. Kishte nevojë për të. E dashuronte çmendurisht.
E donte.
Kapitulli VII
Drew nuk po flinte dot.
Diskutimi me McKintock-un e kishte shqetësuar më shumë nga sa mund ta kishte menduar. Mendonte se tanimë ishte i rregjur mjaftueshëm sa të mos ndikohej nga debatet gojore, por ja ku ishte atje i shtrirë në shtrat duke parë tavanin, natën, dhe duke dëgjuar stoikisht tik-takun buçitës të orës, atë orë të vjetër mekanike me të cilën ishte mësuar aq shumë. Ai që merrej kryesisht me fizikë teorike duke përdorur hetime mahnitëse në proçedurat matematikore më të vështira dhe abstrakte me qëllimin për të treguar ligjet që udhëheqin universin përpara studentëve të tij, mbante mbi komodinë një orë me akrepa dhe me kurdisje. Ora ishte për atë një referuese e sigurtë për gjërat e thjeshta dhe funksionale pa shumë vështirësi, që do të kishin funksionuar gjithmonë dhe falë një teknologjie të vjetër ndoshta, por lehtësisht të kuptueshme dhe të riprodhueshme, gjë që në fushën e tij ishte komplet jashtë diskutimit. Ndjente nevojën e një porti të sigurtë në të cilin të strehohej, pas një dite të kaluar në teorinë e pakapshme, dhe ky port ishte ora. Por, atë natë, tik-taku i saj nuk po e qetësonte Drew-në por diktonte kursin e shqetësuar të mendimeve të tij.
Gjatë ditës, midis një mësimi dhe tjetrit, kishte filluar të hartonte një listë të kolegëve të mundshëm për ti përfshirë në kërkimin e fenomenit. Kishte shtuar patjetër Nobu Kobayashi, që me kërkimet e tij mbi energjitë e larta kishte mundësisht mjetet për të punuar me efikasitet për problemin; pastaj kishte shtuar Radni Kamaranda, matematicien i fuqishëm që kishte treguar të ishte në gjendje të ndërtonte modelin matematik të një proçesi fizik kompleks në një kohë qesharake krahasuar me atë që do ti duhej mesatares së specialistëve. Pasi fenomeni për të studiuar ishte patjetër i lidhur me manipulimin e materialit hapësirë-kohor, një fizikant relativist me vlerë të madhe si Dieter Schultz do të kishte qenë bukë për dhëmbët e tij. Por i nevojitej elementi çelës i grupit, dikush i pajisur me një intuitë të tillë për të parë zgjidhjen e fshehur brenda një mase gjigande informacioni dhe konjukturash. Dikush që në momentin e duhur do kishte mundur të kuptonte thelbin e vërtetë të fenomenit dhe të sintetizonte menjëherë elementët e pakoordinuar në dispozicion, duke iu treguar rrugën kolegëve.