Njihte vetëm një person me këto cilësi të lindura, gjë që e kishte vënë në vështirësi të madhe. Jasmine Novak kishte publikuar disa punë mbi teorinë string, në të cilat aftësia për të marrë me mend atë që të tjerët nuk arrinin as të hamendësonin shfaqej me një qartësi kaq të kristaltë saqë e bënte të dukej një qënie mbinjerëzore. Drew e dinte që nuk do të kishte qenë kurrë në gjendje të përshtatej me të, dhe e dinte pra që vetëm Novak ishte personi që do kishte mundur ti çonte drejt zgjidhjes, por Novak ishte edhe një grua.
Ai nuk arrinte të lidhej në mënyrë të përshtatshme me gratë dhe kishte frikë se nuk do ishte në gjendje të punonte qetësisht dhe me përfitim me një shkencëtare të atij kalibri. Për më tepër Novak ishte krenare dhe rebele, një shpirt i pavarur që nuk pranonte kompromise me ata që e rrethonin. Ajo e shikonte rrugën e saj si të vetmen të drejtë dhe të mundur; në rast konflikti ishte e aftë të braktiste gjithçka duke mos i marrë parasysh pasojat. Me një fjalë ishte një grua e vështirë dhe ai nuk dinte si të bënte për ta menaxhuar, por kishte nevojë për të. I dorëzuar e kishte shtuar në fund të listës, emri i fundit i një grupi të vogël shkencëtarësh që do përpiqej të zbulonte ligjet që përcaktojnë një fenomen fizik me sjellje të tillë që ndryshon kursin e historisë njerëzore, vetëm nëse do të arrinin ta kuptonin.
Po mendonte për Kobayashin dhe energjitë e larta. Mbi të gjitha, eksperimenti që Marron kishte vënë në funksion nuk përdorte ndonjë energji të madhe: çdo gjë që rrinte mbi një tavolinë laboratori, ishte përbërë nga një gjenerator prej disa mijëra Volt, disa ushqyesë me tension të ulët, elektroda, pllakëza, një solenoid dhe pajisje të ndryshme rregullimi,përveç kompiuterit të kontrollit. Nuk dukej sikur duhej kushedi çfarë për të arritur efektin, por Drew mendoi që duhej të arrinin në zgjidhje sa më shpejt të ishte e mundur, pra për të fituar kohë ishte më mirë të kishin shkencëtarët më të zotë.
<Sa më shpejt të jetë e mundur...> përsëriti Drew. Po, pse? Për të vënë McKintock-un në gjendje të fillonte aktivitetin e tij si korrier ndërkombëtar për të financuar Universitetin? Ky dukej ishte bërë qëllimi përfundimtar i zbulimit të tij, mendoi i dëshpëruar. Po nuk mund të mbaronte gjithçka aty, nuk mund ta besonte. Në fakt, konstatoi, Universiteti mund të kishte eskluzivitetin për përdorimin e sistemit për qëllime transporti mallrash, ndërsa të gjitha zbatimet e tjera duhej të ishin në disposizion të të gjithëve. Nuk mund të ishte ndryshe, për një zbulim shkencor të atij lloji.
Të transportoje njerëz, për shembull, si në teletransportin e famshëm shpesh prezent në historitë e fantashkencës, duhej të kishe një aplikacion shumë më revolucionar sesa lëvizja e thjeshtë e objekteve. Do të kishte lejuar një ndërveprim direkt dhe të menjëhershëm midis individëve që jetonin shumë larg nga njëri tjetri: një mbledhje pune mund të thërritej edhe pak minuta para fillimit të saj dhe të përfshinte njerëz të shpërndarë nëpër botë, që në fund të takimit të tyre do ktheheshin për një çast në punët e tyre.
Një i sëmurë do mund të kurohej nga specialistët më të mirë pavarësisht vendit ku ata do operonin zakonisht, dhe pa kohën dhe kostot e trasferimeve të kushtëzuara.
Vendi i punës ose studimit mund të ishte kudo, me një sistem tranferimi si ai. Babai mund të punonte në Sydney, mamaja në Toronto, fëmija mund të studione në Dallas dhe të gjithë së bashku në darkë do kishin shkuar në restorant në Venezia.
Mënyra e të jetuarit do të kishte ndryshuar rrënjësisht, me pasoja sociale të tilla që do mund ta linin çdo gjë në mëdyshje. Ishte pastaj e drejtë të vije në duar të njeriut një mjet të tillë? Çfarë përdorimi do i kishte bërë? Luftrat? Si do kishin qënë? Të tmerrshme, vetëm ta mendosh.
Por, ndoshta, nëse metoda e tranferimit do kishte qenë me të vërtetë në shërbim të të gjithëve, ajo vetë do të ishte bërë siguruesi, në lidhje me aspiratat abuzive të personit. Toka do kishte gjetur një ekuilibër të ri dhe një epokë të re paqeje; njeriu do kishte qenë më i lirë të mendonte dhe të përparonte.
<Çfarë utopie!> mendoi Drew. <Si mund të aludoj që pikërisht falë këtij zbulimi njeriu do mund të bëhet më i mirë? Nuk ka qenë kurrë kështu, në të gjithë historinë njerëzore, pavarësisht mirësisë së pajisjeve që i janë vënë në dispozicion.>
Nuk mund të bënte asgjë; e dinte që kishte nëpër duar diçka jashtëzakonisht revolucionare, por në vend që të ishte i emocionuar dhe të shijonte lavdinë që do kishte marrë, ishte i mbushur me siklet dhe hidhërim. Zbulimi i ri ndoshta do ta çonte njerëzimin në shkatërrim, dhe librat e historisë do ti drejtoheshin atij, Drew-së, si përgjegjësi i parë i kësaj, asaj që i kishte dhënë fillim gjithçkaje.
Por, por... ishte edhe e vërtetë që pavarësisht gabimeve të tij dhe çmendurive të tij delirante, njerëzimi kishte bërë përpara gjithsesi. Sigurisht, duke lënë nga prapa një varg të vdekurish të pafajshëm, por zhvillimi kishte vazhduar, si në arritjet teknologjike ashtu dhe në etikë. Kushedi nëse këtë herë qëniet njerëzore do kishin treguar më shumë arsye dhe respekt për tjetrin. Nuk besonte shumë, po kush ishte ai që të vendoste çfarë ishte e mirë për racën njerëzore? Ai ishte një shkencëtar që kishte qëlluar krejt rastësisht në një fenomen të papritur dhe të jashtëzakonshëm, ose më mirë, falë këmbënguljes së nxënësit të tij fenomeni u zbulua dhe tani po përgatiteshin ta studionin. Pa Marron zbulimi ndoshta nuk do ishte bërë kurrë, duke parë rrethanat absolutisht rastësore që e kishin paraprirë, dhe njerëzimi nuk do kishte mundur ta njihte dhe ta përdorte, në të mirë dhe në të keq.
Duhej ti përkushtohej me të gjitha forcat e tij studimit të tij dhe inkuadrimit të tij në një teori që ta shpjegonte dhe ta bënte të përdorshëm. I detyrohej shkencës, Marronit dhe vetes së tij. Nëse McKintock donte ta përdorte pak për të mbështetur Universitetin, le ta bënte. Universiteti i Manchesterit për Drew-në ishte gjithçka: i kishte dhënë punë në tridhjetë vitet e fundit, një punë prestigjioze përbri shumë çmimeve Nobel; ishte shtëpia e tij për më shumë orë në ditë seç rrinte në banesën e tij të vërtetë; kolegët dhe studentët e respektonin. Falë Universitetit mund të bashkëpunonte me shkencëtarë të tjerë si ai, të lidhur me universitetet më të rëndësishme të globit. Ndihej në detyrim, dhe dhurimi i të paktën një pjese të zbulimit Universitetit i dukej një mënyrë shlyerjeje.
Tavani nuk ishte më i zhytur në errësirë siç kishte qenë për gjithë këtë kohë; zhbiroi jashtë dritares dhe pa që agimi kishte tretur tashmë natën, duke ndriçuar i mrekullueshëm dhe rritës mbi Manchesterin e tij, prelud i një agimi ndritës. Të njëjtin agim që ai po jetonte në zhvillimin progresiv të misterit shkencor që me kolegët e vetë do të përpiqeshin të kthenin në një agim po aq të ndriçuar të njohjes superiore, për njerëzimin.
U ngrit, aspak i përgjumur, dhe kuptoi që kishte një uri të madhe. Përgatiti një mëngjes të bollshëm dhe e konsumoi i kënaqur, duke menduar ndërkaq për orarin më të përshtatshëm për tu telefonuar kolegëve që kishte zgjedhur për kërkimin. Kobayashi duhej telefonuar menjëherë, meqë në Osaka ishte tashmë pasdite. Kamaranda vinte menjëherë më pas pasi operonte në Raipur, në verilindje të Indisë. Schultzi në Heidelberg dhe Novak në Oslo ishin shumë afër tij, si zonë kohore, pra do ti telefononte nga mesi i mëngjesit.