Danilo Clementoni - Kryqëzimi Me Nibirun стр 7.

Шрифт
Фон

«Domethënë jam eprori yt. Më pëlqen kjo gjë.»

«Por mos të të bëhet zakon kjo, në rregull?» foli i holli duke mbajtur lart gishtin tregues. «Dhe këto janë dokumentet tona me kartat përkatëse të identifikimit.»

«Dreq. Ngjajnë si të vërteta.»

«Dhe nuk mbaron këtu, plako» dhe i tregoi një fletë letre firmosur direkt nga vetë koloneli Xhek Hadson. «Kjo është kërkesa zyrtare e dorëzimit të të burgosurit për transferimin në një vend më të “sigurt”. »

«Po ku dreqin e more?»

«E printova më përpara ndërkohë që ti ishte në dush. Mendoje se vetëm ti je magjistar i kompjuterit?»

«Jam i befasuar. Është edhe më mirë se origjinalja.»

«Do të paraqitemi në bazën ushtarake dhe do t’i bëjmë që të na dorëzojnë gjeneralin. Nëse do të kenë kundërshtime, mund t’u themi gjithmonë që të telefonojnë direkt kolonelin Hadson. Nuk besoj se celulari mund të funksionojë në hapësirë» dhe të dy kështu shpërthyen duke qeshur me të madhe.

Pas afro një ore, ndërkohë që dielli ishte fshehur tashmë mbrapa një dune të lartë, një xhip ushtarak, brenda të cilit gjendej një kolonel dhe një gjeneral të veshur kokë e këmbë, u ndal para hyrjes së bazës ajrore të Imam Ali ose Camp Adder siç e kishin pagëzuar amerikanët gjatë luftës në Irak. Nga kulla e blinduar e vrojtimit dolën dy ushtarakë të armatosur gjer në dhëmbë dhe u drejtuan me hapa të shpejtë drejt automjetit. Dy të tjerë, të mbetur pak më larg, i mbanin pasagjerët nën mbikqyrje.

«Mirëmbrëma kolonel» foli ushtari që gjendej më afër, pasi e kishte përshëndetur ushtarakisht. «Ju lutem, a mund të shoh dokumentet tuaja dhe ato të gjeneralit?»

Koloneli i gjatë dhe i hollë që gjendej i ulur në vendin e shoferit, nuk foli as edhe një fjalë. Nxori nga xhepi i brendshëm i xhaketës një zarf te verdhë dhe ia vuri në dorë. Ushtaraku u vonua duke e lexuar ca si shumë dhe drejtoi disa herë dritën elektrike të dorës në fytyrat e të dyve. Gjenerali ndjeu qartë pikën e djersës që, nga poshtë xhungës që kishte në ballë, nisi t’i zbriste ngadalë mbi hundë, për të rënë pastaj mbi kopsën e tretë të xhaketës, e tendosur jashtë mase nga shtytja e fuqishme e barkut të madh që kishte poshtë.

«Kolonel Morris dhe gjeneral Uajt» foli ushtaraku, duke i drejtuar kolonelit përsëri dritën elektrike në fytyrë.

«Rajt, gjenerali Rajt!» ia ktheu koloneli i hollë me një ton padyshim të irrituar. «Çfarë ka rreshter, nuk dini të lexoni?»

Rreshteri, i cili kastile e kishte lexuar gabim emrin dhe mbiemrin e gjeneralit, buzëqeshi lehtë dhe tha «Po ju shoqëroj. Shkojuni pas atyre burrave» dhe me një shenjë nënkuptuese i dha urdhër të dy ushtarakëve të çanin përpara në drejtim të burgut.

Koloneli ndezi lehtë xhipin. Nuk kishte bërë as edhe nja dhjetë metra kur dëgjoi t’i thërrisnin nga mbrapa shpinës «Zotëri, ndal!»

Dy drejtuesve të mjetit u ngriu gjaku në vena. Qëndruan pa lëvizur për ca çaste shumë të gjatë, deri sa zëri vazhdoi të fliste «Harruat të merrnit përsëri dokumentet tuaja.»

Gjenerali trupmadh mori frymë aq shumë i lehtësuar saqë të gjitha kopsat e uniformës desh i plasën.

«Faleminderit rreshter» foli ai i holli duke zgjatur dorën në drejtim të ushtarit. «po plakem më shpejt nga sa pandehja.»

Ndezën përsëri xhipin dhe u shkuan pas dy ushtarëve të cilët, duke vazhduar përpara me hap të shpejtë, i çuan menjëherë tek hyrja e një ndërtese të ulët dhe me pamje vërtet të shkatërruar. Ushtari më i ri në moshë trokiti tek dera dhe hyri pa pritur përgjigje. Pas pak, një burrë i bëshëm, krejtësisht tullac, me grada rreshteri dhe me fytyrë vërtet prej një burri të ashpër, u paraqit tek pragu dhe qëndroi në gatitu. Përshëndeti ushtarakisht dhe tha «Zoti gjeneral, zoti kolonel. Hyni brenda, ju lutem.»

Të dy zyrtarët i kthyen përshëndetjen dhe, duke u munduar të harronin dhimbjet e shumta që sërish po i shfaqeshin ngadalë, u futën brenda dhomës së madhe.

«Rreshter» foli me qetësi ai i holli. «Kemi këtu një urdhër me shkrim nga koloneli Hadson që na autorizon të marrim me vete gjeneralin Kembëll» dhe i dorëzoi zarfin e verdhë.

Rreshteri i shëndoshë e hapi dhe u përqendrua mirë që të lexonte përmbajtjen. Pastaj, duke fiksuar sytë e tij të zinj dhe depërtues me ato të kolonelit, vendosi duke thënë «Do më duhet që ta verifikoj.»

«Bëjeni pra» ia ktheu me qetësi zyrtari.

Burri trupmadh me ngjyrë nxori nga një sirtar i tavolinës së punës një fletë tjetër dhe e krahasoi me kujdes me atë që kishte në dorë. Vështroi përsëri kolonelin dhe, pa lënë t’i dilte asnjë emocion, shtoi «Firma korrespondon. Nuk keni ndonjë kundërshtim nëse e marr në telefon?»

«Është detyra juaj. Por të përpiqemi që ta bëjmë sa më shpejt, ju lutem. Kemi humbur shumë kohë tashmë» iu përgjigj koloneli i hollë, duke bërë gjoja se po humbte durimin.

Pa droje fare, rreshteri futi ngadalë njërën dorë tek xhepi i veçantë i uniformës dhe nxori telefonin e tij celular. Formoi një numër dhe qëndroi në pritje.

Dy zyrtarët mbajtën frymën derisa ushtaraku, pasi kishte shtypur një buton të aparatit, komentoi shkurt «Nuk është i arritshëm.»

«Atëherë rreshter, a duam të nxitojmë apo jo?» u shpreh funksionari me një ton padyshim më autoritar se më parë. «Nuk mund të qëndrojmë këtu gjithë natën.»

«Shko të marrësh gjeneralin» i urdhëroi rreshteri i shëndoshë një prej ushtarëve që kishin shoqëruar të dy funksionarët.

Pas ca minutash, një burrë krejtësisht tullac, me mustaqe dhe vetulla ngjyrë gri dhe dy sy të zinj të vegjël dhe të gjallë u shfaq te pragu i portës mbrapa rreshterit. Kishte veshur uniformën me grada gjenerali por mbi supin e djathtë i mungonte një nga katër yjet e gradës. Ishte i prangosur dhe, mbrapa tij, ushtari i mëparshëm e mbante nën mbikqyrje.

Me t’i parë ata të dy, gjenerali hovi për një çast pastaj, duke e nuhatur planin, ndenji në heshtje dhe bëri një fytyrë sa më të trishtuar që të mundej.

«Faleminderit ushtar» i tha koloneli i hollë ndërkohë që nxirrte nga këllëfi i tij Berettën M9. «Tani këtë qelbësirën do ta marrim ne në dorëzim.»

Anija kozmike Theos – Plani i veprimit

«Nuk është emocionuese që të marrësh vesh se do të jemi ne të dy ata që do shpëtojnë Tokën, i dashur?» foli Elisa dhe i mori dorën kolonelit, ndërsa e vështronte me sytë e një koteleje të dashuruar.

Ваша оценка очень важна

0
Шрифт
Фон

Помогите Вашим друзьям узнать о библиотеке

Скачать книгу

Если нет возможности читать онлайн, скачайте книгу файлом для электронной книжки и читайте офлайн.

fb2.zip txt txt.zip rtf.zip a4.pdf a6.pdf mobi.prc epub ios.epub fb3

Популярные книги автора