Shkova në një shkollë vetëm për vajza. Shkolla e djemve ishte e ndarë me anë të shkollës së infermierisë dhe mbaj mend se në moshën njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë vjeç bëhesha kureshtare pse vajzat e klasave më të larta ishin aq të interesuara për djemtë. Një herë, para se të fillonte mësimi, më thanë se vëllai im, Rëné, ishte përplasur nga një makinë. Dola nga oborri dhe e pashë të shtrirë në rrugë, me një turmë që e rrethonte. Nuk mund të mos qaja duke e parë të shtrirë në trotuar dhe me dhimbje. Shumë më vonë, e identifikova atë dhimbje kur lexova një letër nga poetja franceze, Madam dë Sévinj për vajzën e saj të sëmurë, që thoshte: Jai mal a votre gorge (ndihem keq kur të dhemb fyti)
Më pëlqente shkolla. Më pëlqente të mësoja dhe duhet të kem qenë një fëmijë i zgjuar sepse e anashkalova klasën e dytë. Të qenit një nxënës yll më bëri të përkëdhelurën e mësueses në shumicën e klasave të mia. Sidoqoftë, unë me shoqet e mia e kishim frikë drejtoreshën. Zonjushë Herbet ishte një grua jashtëzakonisht e rreptë, ajo ishte e pamartuar dhe një tmerr i vërtetë për të gjitha ne vajzat. Çfarë befasie ishte ajo për mua, se! Fillova ta dua zonjushë Herbet dhe jam e sigurt se ajo më donte mua. Arrija ta lexoja dashurinë dhe miratimin në sytë e saj, madje më ftoi edhe në banesën e saj për të pirë çaj me të pas shkollës. Banesa e saj ndodhej në katin e dytë të shkollës dhe ecnim në majë të gishtave me druajtje kur kalonim para derës së saj, gjatë rrugës për në klasa. Mbaj mend që një ditë ajo më thirri në klasë dhe më kërkoi që ta thoja përmendësh mësimin tonë për atë ditë. Me turp të madh dhe pas një heshtje të gjatë, e pranova se nuk e kisha studiuar mësimin. Ajo u përgjigj: Shumë keq, mund të ulesh. Po të vë zero. Kjo zero ishte një notë shumë e keqe në regjistrin tim dhe u ndjeva mjaft e poshtëruar. Zonjushë Herbet thirri disa nxënës të tjerë dhe, duke i dëgjuar ata, qeshë në gjendje të mësoja përmendësh teoremat e gjeometrisë, që nuk i kisha studiuar një natë më parë. U pëshpërita shokëve të mi se e dija mësimin tani dhe, me shumë entuziazëm, ata i thanë mësueses se mund ta thoja tani përmendësh. Zonjushë Herbet më thirri përsëri dhe unë e thashë përmendësh teoremën pa asnjë gabim. E gjithë klasa nisi të brohoriste dhe iu lut mësueses të ma hiqte notën pakaluese. U ndieva tepër e lehtësuar kur ajo veproi kështu. Çfarë fitoreje që ishte!
****
Gjatë një prej udhëtimeve të mia të fundit në Francë, shkova për të parë shkollën time fillore përgjatë Rónit. Asgjë nuk kishte ndryshuar. Arrija të nuhasja edhe erën e shkumësit! Me lot në sy, kujtova fëmijërinë time të pafajshme që kishte kaluar. Doja të vrapoja dhe tu thoja prindërve të mi se ndodhesha përsëri në shtëpi dhe kisha parë shkollën time por, natyrisht, ata nuk gjendeshin askund; kishin shkuar bashkë me fëmijërinë time dhe pjesën më të mirë të jetës sime. Sa shumë doja tu tregoja atyre gjithçka që kisha parë dhe përjetuar; sesi rrugët që dukeshin aq të mëdha, kur isha fëmijë, ishin tani kaq të ngushta. Doja tu thosha se ndodhesha përsëri në parkun e bukur ku nëna na çonte të tre fëmijët, se kisha takuar miqtë tanë të vjetër, që ende jetonin në banesën e tyre në rrugën tjetër, dhe se ata nuk kishin ndryshuar aspak. Ata më thanë se Martina, shoqja ime, tani ishte infermiere dhe jetonte në Gjermani. Sa shumë doja të ndaja me ta gjithë këtë nostalgji por, natyrisht, nuk munda. Ndjeva sikur i kisha humbur përsëri dhe e përjetova rishtas pikëllimin tim. Ndalova tek boulangerie, ku blenim dikur bukën dhe ëmbëlsirat, dhe e gjeta pikërisht siç e mbaja mend, me të njëjtat aroma, të njëjtën larmi bukësh të ngrohta nga furra, por nuk ishte e njëjta.
Është e vërtetë që nuk mund të kthehesh pas në kohë.
Lojërat që luanim dikur si fëmijë... Disa mëngjese, babai na thërriste nga shtrati i tij duke pyetur nëse ishim zgjuar. Nëse do të ishim, ai do të thoshte: Parlons de lit à lit (Le të flasim nga shtrati në shtrat). Ne do të fillonim të bisedonim, duke u bashkuar përfundimisht në shtratin e tij, por gjithmonë prisja që ai të na tregonte histori në lidhje me lItalie, duke përfytyruar pamje me diell, por ai do të më korrigjonte dhe do të më kujtonte se po flisnim de lit à lit, një aliteracion.
Kisha edhe unë kukullat e mia. Doja një në veçanti, cila kishte karrocën e saj që ia kisha pajisur me jastëk dhe batanije. Një ditë, ndërsa luaja me këtë kukull, kuptova që nëna ime kishte dalë për të bërë pazar dhe më kishte lënë në shtëpi vetëm me gjyshen time, e cila më mallkonte përgjithmonë dhe unë nisja të qaja e dëshpëruar nga frika se mos nëna ime nuk do të kthehej kurrë. Ende e kujtoj dhimbjen që ndjeja dhe frikën se mos nuk e shoh më kurrë.
Gjyshja ime kishte një urrejtje të pakuptueshme ndaj meje. Ajo shpesh më mallkonte dhe nëna ime nuk guxonte të më mbronte. Babai im, djali i saj, nuk do të guxonte ta ofendonte duke e kundërshtuar me forcë. Për shembull, ajo ishte shumë e zonja me gishtat dhe gjithmonë bënte punime me gjilpërë. E pyeta një herë, për të më treguar se si të bëja thembrën e disa çorapeve, dhe ajo u përgjigj: Mëso vetë, siç kam bërë dhe unë! Në mënyrë të pafajshme, duke dashur ti hyja në zemër, i thashë: Por ti je një amvisë e përkryer, që ishte një kompliment në ato ditë. Përgjigja e saj ishte: Mos e arrifsh kurrë ditën që të bëhesh një amvisë e përkryer! Vrapova për ti treguar nënës, e cila u trondit aq shumë saqë më dërgoi të pyes babanë se çfarë do të thoshte kjo. Babai më pyeti se ku e dëgjova dhe, kur i thashë se ma kishte thënë gjyshja Memé, ai u zbeh në fytyrë, por nuk bëri asgjë. Ajo e dinte që mund të bënte ose të thoshte gjithçka dhe askush nuk do ta kundërshtonte asnjëherë.
Një herë tjetër ajo tha: Que te quedaras en la cuna! (Duhet të kishe vdekur që në djep!). Nuk është çudi që kisha frikë se do të braktisesha nga nëna ime në duart e një shtrige të tillë!
Në atë kohë, kur isha rreth dhjetë apo njëmbëdhjetë vjeç, shkolla jonë shpërndau disa lloje këpucësh ose nallanesh për fëmijët në nevojë. Drejtori i shkollës së djemve ishte përgjegjës i programit dhe, kur unë iu paraqita për të marrë nallanet, ai më preku në një mënyrë të papërshtatshme. Më erdhi aq turp sa nuk i thashë gjë askujt.
Më pas një shitës ushqimesh në rrugën tjetër, ku nëna na dërgonte për pazar, bëri të njëjtën gjë në mes të ditës. Këtë herë i thashë nënës dhe të dy, ajo me babain, shkuan për tu ballafaquar me të, por ai e mohoi atë gjë.
Më vonë, u shtrova në spital në Granges Blanches në Lion dhe një praktikant i ri më preku në mënyrë të papërshtatshme, ndërsa po më ekzaminonte. Sërish u thashë prindërve të mi dhe ata bënë goxha fjalë me të, por ai përsëri mohoi gjithçka.
Vite më vonë, në Itali, një prift më përqafoi në zyrën e tij dhe më futi duart nën bluzë. E raportova te peshkopi, por, natyrisht, prifti e mohoi.
Në ato ditë, zërat e grave nuk kishin aq peshë sa sot, edhe pse edhe në këto ditë, ato duket se kanë pengesa të larta për të kaluar.
Gjatë gjithë jetës sime, burrat që kisha mbi vete shfrytëzonin postin e tyre me vërejtjet ose sjelljet e tyre, dhe e vetmja gjë që mund të bëja ishte të largohesha, nëse nuk doja të toleroja atë sjellje. Gjithmonë kam punuar për presidentin ose partnerin e vjetër të një firme dhe, për fat të keq, nuk kishte asnjë mbi këta burra, të cilit mund ti ankohesha, dhe ata dukej se e shfrytëzonin atë situatë. E vetmja herë që raportova ishte në zyrën e papunësisë, ku më thirrën mua dhe shefin tim në një seancë dëgjimore, por, pasi isha e re në Shtetet e Bashkuara dhe ende nuk flisja anglisht, u penalizova nga zyra e papunësisë që kisha gënjyer.