Yael Eylat-Tanaka - Viktimë E Pallogaritur стр 4.

Шрифт
Фон

Por jam duke e parakaluar veten.

Kishte kaq pak hebrenj në Valencë para Luftës së Dytë Botërore saqë nuk kishte tempull ose sinagogë në qytet. Sidoqoftë, një vit, prindërit e mi vendosën të kryenin shërbime në apartamentin tonë gjatë Ditëve të Mëdha të Shenjta. Meqenëse një kuorum prej dhjetë burrash është i nevojshëm për të kryer lutjet, me vështirësi u gjetën aq burra hebrenj në Valencë dhe u ftuan në shtëpinë tonë. Prindërit e mi zhvendosën shumicën e orendive nga dhoma e ngrënies dhe e mbuluan dollapin e rrobave me një çarçaf të bardhë. Një Tora ishte sjellë nga një prej tempujve në Lion dhe ishte vendosur në atë Ark të improvizuar. Gratë uleshin në dhomat e tjera dhe shikonin nga hyrja e derës ndërsa burrat luteshin në shenjtërore. Më kujtohet paksa një incident gjatë atyre Ditëve të Shenjta kur gjatë shërbesave një nga burrat u ul në shenjtërore dhe kryqëzoi këmbët, duke e vendosur njërën këmbë në majë të gjurit të kundërt. Kjo krijoi mjaft trazira në mesin e burrave të tjerë, që e qortuan për mungesën e respektit në këtë vend të shenjtë. E përmend këtë si një shembull se sa i shenjtë ishte judaizmi për familjen time, përkundër qëndrimit dhe dekretit modern të babait tim që fëmijëve të mos u jepej ndonjë edukim i veçantë fetar.

Atë vit, meqë do të kishim një tempull në shtëpinë tonë, së bashku me shumë të ftuar, nëna e vuri tezen time, Alegrën, të më qepte një fustan të ri prej mëndafshi. Ishte ngjyrë blu e çelët dhe fundi ishte me pala të holla. Provat në shtëpinë e tezes dhe gëzimi im që do të vishja një fustan të ri kaq të lezetshëm gjatë Ditëve të Shenjta nuk kishte kufij! Mjerisht, nuk iu binda prindërve të mi ose bëra ndonjë prapësi një javë para festivalit dhe u ndëshkova atje ku më dhembte vërtet: kotësia ime. Mu ndalua të vishja fustanin tim të ri, i cili rrinte në varëse dhe ishte gati e dukej i mrekullueshëm për të gjithë që mund ta shihnin në varëse, por jo mua të veshur me të! Dhe nuk e kam veshur kurrë, sepse befas hodha shtat dhe fustani më rrinte shumë i vogël. Ky zhgënjim më preku mjaft thellë, sepse e kuptova që duhet të kisha qenë jo vetëm një telash për prindërit e mi, por sigurisht mjaft mendjemadhe. Ende më duket sikur i dëgjoj miqtë e nënës sime, duke komentuar se çfarë vajze të vogël të bukur që kishte, dhe nënën duke u përpjekur të frenonte atë që padyshim më kishte hipur në kokë. Shoqja ime më e mirë kishte një pasqyrë, në të cilën admiroja kaçurrelat e mia të gjata, dhe babai u dëshpërua deri në atë pikë sa ai u betua se do të mi priste të gjithë flokët ndërsa flija nëse nuk do të ndaloja së kundruari atë pasqyrë! Nuk mund të besoj se e kishte me gjithë mend për këtë, edhe pse atëherë i besoja.

Asnjëherë nuk kam ndalur së shikuari veten në pasqyrë.

Kur ishim ende shumë të vegjël, nëna na çoi të treve në Lion për të qëndruar me familjen e vëllait të saj. Ata jetonin në pjesën e vjetër piktoreske të Lionit, Place St. Jean, dhe ende kam disa kujtime të shkëputura nga ato ditë, duke ushqyer pëllumbat në Place des Terreaux, ose duke u ulur në utorak në një nga dhomat e gjumit. Një të shtunë në mëngjes, kur po largohej nga Temple du Quai Tilsitt, nëna ndaloi të fliste me një zotëri, që e kishte të njohurin e saj, në shkallët e tempullit kurse unë iu hodha, e përqafova dhe e putha sepse ai më tha diçka të mirë. Më kujtuan me qortim se vajzat e vogla nuk përqafojnë dhe puthin zotërinj të panjohur. Tashmë isha impulsive, por kurrë nuk mund ti rezistoja një buzëqeshjeje dhe mirësie. Shumë vite më vonë, nëna më tha se ajo ishte ndarë përkohësisht nga babai kur na çoi në Lion sepse vjehrra e saj, Memé, po ia bënte jetën të mjerueshme dhe babai dukej sikur i kushtonte më shumë vëmendje nënës së tij sesa asaj. Ai i shkroi asaj disa letra dashurie, duke e lutur që të kthehej dhe duke i thënë asaj se sa bosh ndihej shtëpia pa të dhe fëmijët. Ai i shkruante se e kishte marrë malli ta dëgjonte duke kënduar dhe se e donte. Ne tashmë ishim kthyer në shtëpi dhe kishin kaluar shumë vite që kur ajo mi tregoi ato letra.

Siç u përmend më herët, vëllai i babait tim, Rafaeli, jetonte me familjen tonë në Valencë, së bashku me gruan e tij, Alegra dhe djalin e tyre, Samiun. Samiu ishte fëmijë i vetëm dhe ai u rrit me ne dhe e quante vëllain tim, Rëné, frére-cousin (vëlla-kushëri). Thuhej se gjyshja Memé e adhuronte atë sepse ishte fëmija i djalit të saj të preferuar. Ajo gjithashtu favorizoi vëllanë tim, Rëné, sepse ai ishte i parëlinduri i familjes. Rëné ishte një fëmijë shumë i mirë, i qetë dhe serioz e punëtor, me një dhunti për muzikë. E admiroja shumë dhe do të mësoja përmendësh çfarëdo mësimi që e dëgjoja të recitonte kur bënte detyrat e shtëpisë. Kisha një kujtesë të mirë dhe kjo ishte përgatitje e mirë për klasat e mia më vonë; por, ndonëse isha një studente e mirë, isha edhe rebele. Më pëlqen më tepër të luaj me kukullat e mia sesa të bëj ndonjë gjë tjetër! Një herë, Rëné dhe mua na ngarkuan me thurjen e një trikoje, secilin për thurjen e gjysmës së saj; në kohën që Rëné kishte mbaruar gjysmën e saj, dy mëngët dhe jakën, unë ende po hasja vështirësi me pjesën e përparme. Punimi në shtiza ishte i vështirë, megjithatë ai ishte aq i zoti në të, kurse unë isha shumë dembele dhe doja vetëm të luaja. Gjithashtu, tregohesha e padisiplinuar dhe e pacipë, duke ua kthyer fjalën prindërve të mi. Duhet të kem qenë goxha telash! Ndihesha e padëshiruar, veçanërisht kur më krahasonin në mënyrë të pafavorshme me vëllain tim të madh, i cili nuk mund të bënte keq. Kur vështroj nga e kaluara, e kuptoj që gjithmonë jam ndjerë shumë afër tij dhe e kam dashur gjithmonë shumë. Ma merr mendja se kam mësuar ta dua duke e imituar! Kjo dashuri e thellë më ka mbetur gjithë jetën. Me sa duket, gjithçka që mësojmë si fëmijë na formon dhe ngjyros personalitetin tonë përgjithmonë. Nuk ka pasur rivalitet të vëllezërve dhe motrave mes të dyve, pasi nuk mbaj mend të kem ndjerë ndonjë xhelozi ndaj tij dhe besoj se dashuria dhe afrimiteti i thellë mes nesh më kanë mbajtur që të mos zemërohem pavarësisht nga qëndrimi i prindërve dhe gjyshes ndaj meje dhe lavdërimet e tyre të vazhdueshme për vëllain tim.

Kur Rëné ishte nëntë vjeç, ai u regjistrua në shkollën e muzikës. Të gjitha lutjet e mia për tu regjistruar gjithashtu u anuluan: Unë isha vajzë dhe nuk më lejohej të bëja gjëra që bënin djemtë. Rëné shkëlqeu edhe në këtë, dhe shumë shpejt filloi të mësonte të luante klarinetë dhe më në fund u bashkua me Orkestrën e Valencës si klarinetist. Një shok i shkollës sime, që ndiqte të njëjtën shkollë muzikore, më tha me admirim se vëllai im ishte hors concours, që do të thotë përtej vlerësimit dhe lavdërimeve. E doja dhe gëzohesha me lavdinë e tij dhe isha e lumtur kur ktheja faqet e partiturës kur ai luante klarinetën në shtëpi. Banesa jonë ushtonte gjithnjë nga muzika e tij, kur ai po praktikonte luspat e tij ose kur luante pjesë si Shéhérazaden e Rimski-Korsakoffit ose Kavalerinë e Lehtë të von Soupé ose Marshin Persian. Në ditët e sotme, sa herë që dëgjoj Koncertin e Klarinetës të Ueberit ose Koncertin e Klarinetës të Mozartit, ndihem përsëri ajo vajzë e vogël që hap faqet për vëllain e saj të dashur. Sa e doja dhe e admiroja! Sigurisht, ende e dua, pavarësisht nga të gjitha vitet, ndryshimet, largimet dhe afrimet ai është dhe do të jetë gjithmonë spiranca ime, vëllai që shikoj me adhurim, vëllai që e doja sepse ai ishte gjithçka që unë nuk isha: i qetë dhe serioz, i mirë dhe i dashur, kurse unë e tërbuar, e gjallë, rebele... dhe e padëshiruar. Mos ndoshta fakti që ishte aq i dashur e bënte aq të sigurt për veten dhe të dëshiruar, apo ishte i dashur sepse ishte i dëshiruar në radhë të parë? Dyshoj se ishte e para dhe besoj se të duash një fëmijë është dhurata më e madhe që prindërit mund ti japin atij dhe asaj fëmije, dhe kjo është rrënja e vetëvlerësimit dhe vetëbesimit.

Ваша оценка очень важна

0
Шрифт
Фон

Помогите Вашим друзьям узнать о библиотеке

Скачать книгу

Если нет возможности читать онлайн, скачайте книгу файлом для электронной книжки и читайте офлайн.

fb2.zip txt txt.zip rtf.zip a4.pdf a6.pdf mobi.prc epub ios.epub fb3