Kap valixhen dhe në moment e ndjej ankthin të rritet brenda meje. Pyetjet më vijnë nëpër mend dhe më ngacmojnë: Si do të jetë ky udhëtim? A do të ketë vallë rrezik e panjohura? Çfarë masash më duhet të marr? Ajo ça di është se do më nxisë mendimet në lidhje me karrierën time dhe unë jam i gatshëm ta ndërmarr. Rrëmbej valixhen (përsëri) dhe para se të largohem, kërkoj familjen time që tu them mirupafshim. Mamaja është në kuzhinë duke përgatitur drekën bashkë me motrën. Afrohem dhe u shpreh shqetësimin tim kryesor.
E shikoni këtë çantë? Do të jetë bashkëudhëtarja ime e vetme (përveç jush, lexues) në një udhëtim që po përgatitem të ndërmarr. Jam në kërkim të mençurisë, dijes dhe kënaqësisë nga profesioni im. Shpresoj se ju të dyja ta kuptoni dhe miratoni vendimin që kam marrë. Hajdeni; më jepni një përqafim dhe urimet tuaja më të mira.
Biri im, harroji qëllimet që ke, pasi janë të pamundura për njerëz të varfër si puna jonë. Ta kam thënë një mijë herë: Nuk do të bëhesh idhull apo diçka i tillë. Kuptoje mirë: Ti nuk ke lindur për të qenë njeri i madhTha Zhuljeta, Mamaja ime.
Dëgjoje mamanë tonë. Ajo e di se çfarë thotë dhe ka plotësisht të drejtë. Ëndrra jote është e pamundur sepse ti nuk ke talent. Pranoje se misioni yt është vetëm të bëhesh një mësues i thjeshtë matematike. Nuk do të shkosh më larg se kaqFoli Dalva, Motra ime.
Pra atëherë, nuk ka asnjë përqafim? Përse nuk besoni se unë mund të bëhem i suksesshëm? Ju garantoj: Edhe nëse paguaj për të përmbushur ëndrrën time, do të jem i suksesshëm sepse një njeri i madh është ai që beson tek vetja. Do ta bëj këtë udhëtim dhe do të zbuloj gjithçka që gjendet atje. Do të jem i lumtur sepse lumturia qëndron tek ndjekja e rrugës që Zoti ndriçon rreth e përqark nesh në mënyrë që ne të dalim fitimtarë.
Dhe duke u shprehur kështu, drejtohem nga dera me sigurinë se do të jem fitimtar në këtë udhëtim: udhëtimi që do më çojë në destinacione të panjohura.
Mali i Shenjtë
Shumë kohë më parë, dëgjova për një mal krejt të shkretë në krahinën e Pesqueiras. Është pjesë e vargmalit të Ororubás (emri indigjen) ku jetojnë banorët indigjenë Xukuru. Thonë se u bë i shenjtë pas vdekjes së një mjeku të mistershëm nga një prej fiseve Xukuru. Është e mundur që një dëshirë të bëhet realitet përsa kohë që qëllimi është i pastër dhe i sinqertë. Kjo është fillesa e udhëtimit tim, objektivi i të cilit është të bëj të pamundurën të mundur. A e besoni lexues? Atëherë qëndroni me mua duke i kushtuar vëmendje të veçantë rrëfimit.
Duke ecur në autostradën BR-232, mbërrij në bashkinë e Pesqueiras, ku afro pesëmbëdhjetë milje nga qendra është Mimoso, një nga krahinat e saj. Një urë moderne, e ndërtuar rishtazi, siguron akses te ky vend që ndodhet mes maleve të Mimosos dhe Ororubás, që lagen nga Lumi Mimoso që rrjedh deri në fund të luginës. Mali i shenjtë është fiks në këtë vend dhe këtu gjendem unë duke udhëtuar.
Mali i shenjtë ndodhet në afërsi të krahinës dhe brenda një kohe të shkurtër gjendem në rrëzë të tij. Mendja ime endet në hapësirë dhe në kohë të largët duke përfytyruar situata dhe fenomene. Çfarë më pret me të hipur në këtë mal? Sigurisht që këto do jenë përvoja të gjalla dhe motivuese. Mali ka lartësi të vogël (2300 këmbë) dhe në çdo hap unë ndjej më shumë besim në vete, por gjithashtu edhe pritshmëri. Më vijnë në mend kujtime nga përvojat e gjalla që kam përjetuar gjatë këtyre njëzet e gjashtë viteve të mia. Në këtë periudhë të shkurtër, ka patur shumë ngjarje fantastike që më kanë bërë të besoj se isha i veçantë. Dalngadalë, mund ti ndaj këto kujtime me ju lexues, dhe pa gajle fare. Gjithsesi ky nuk është momenti. Do vazhdoj me rrugën për në mal sipër në kërkim të gjithë dëshirave të mia. Kjo është ajo çka shpresoj dhe si herë e parë ndihem i lodhur. Kam udhëtuar deri në gjysmën e rrugës. Nuk ndjej lodhje fizike ekstreme por kryesisht mendore për shkak të zërave të panjohur që më kërkojnë të kthehem. Ata insistojnë ca si shumë. Sidoqoftë, unë nuk dorëzohem kollaj. Dua të arrij në majë të malit për gjithçka që ia vlen. Mali merr frymë për mua duke nxjerrë një ajër krejt ndryshe dhe që prek ata që besojnë në shenjtërinë e tij. Kur të mbërrij aty, ma ha mendja se do ta di me saktësi çfarë duhet të bëj për të marrë rrugën që do më çojë nëpër këtë udhëtim që e kam pritur aq gjatë. E ruaj fort besimin tim dhe qëllimet e mia sepse unë kam një Zot që është Zoti i të pamundurës. Le të vazhdojmë të ecim.
Kam bërë tashmë tre të katërtat e rrugës por ende po më shqetësojnë zërat. Kush jam unë? Ku jam duke shkuar? Pse mendoj se jeta ime do të ndryshojë rrënjësisht pas kësaj përvoje në mal? Duke mos i marrë zërat në konsideratë, më duket se jam i vetëm në gjithë këtë rrugë. A mundet vallë që edhe shkrimtarët e tjerë të kenë pasur të njëjtën ndjesi duke shkuar nëpër shtigjet e shenjta? Mendoj se misticizmi im do të jetë ndryshe nga i ndonjë tjetri. Duhet të vazhdoj, më duhet të kapërcej dhe tu rezistoj të gjitha pengesave. Gjëmbat që më shpojnë trupin janë jashtëzakonisht të rrezikshme për qeniet njerëzore. Nëse i mbijetoj kësaj ngjitjeje, do ta konsideroja veten fitimtar.
Pak nga pak, po i afrohem majës. Gjendem tashmë vetëm ca këmbë larg. Djersa që po më rrjedh nga trupi duket se është bërë njësh me aromat e shenjta të malit. Ndalem për pak. A do jenë merakosur vallë njerëzit e mi të dashur? Epo, tani vërtet që nuk ka rëndësi. Më duhet të mendoj për veten momentalisht, në mënyrë që të arrij në majën e malit. E ardhmja ime varet nga kjo. Vetëm disa hapa të tjerë dhe arrij në majë. Fryn një erë e ftohtë, zërat torturues më pështjellojnë arsyen dhe nuk ndihem mirë. Zërat bërtasin:
Ai ia doli mbanë, ai do të shpërblehet! A është i denjë ai për këtë? Si arriti ta ngjisë gjithë këtë mal? Jam i pështjelluar dhe më merren mendtë; Nuk mendoj se jam mirë.
Zogjtë cicërijnë, dhe rrezet e diellit më përkëdhelin fytyrën në të gjitha pjesët e saj. Ku jam? Më duket sikur kam qenë i pirë një ditë më parë. Mundohem të ngrihem por një krah më pengon ta bëj këtë. Shoh se afër meje është një grua në moshë mesatare, me flokë të kuqe dhe lëkurë të nxirë nga dielli.
Kush je ti? Çfarë më ka ndodhur? Më dhemb i gjithë trupi. Mendja ndihet e pështjelluar dhe e zbehtë. Mos është ngaqë gjendem në majë të malit? Mendoj se duhet të kisha qendruar në shtëpi. Ëndrrat më kanë shtyrë të vija deri këtu ku jam. Iu ngjita malit me ngadalë, plot shpresë për një të ardhme më të mirë dhe me një synim për tu rritur personalisht. Gjithsesi, praktikisht nuk mund të lëviz. Mi sqaro të gjitha këto, të lutem shumë.
Unë jam roja e malit. Unë jam shpirti i Tokës që lëviz aty këtu. Kam ardhur këtu sepse ti e fitove sfidën. A dëshiron që ti bësh ëndrrat e tua realitet? Do të të ndihmoj ta arrish këtë, biri i Zotit! Ke akoma shumë sfida për të përballuar. Unë do të të stërvis. Mos ki frikë. Zoti yt është me ty. Pusho pak. Do të vij prapë me ushqime dhe ujë për të plotësuar nevojat që ke. Ndërkohë, çlodhu dhe medito siç bën gjithmonë.
Dhe duke thënë kështu, gruaja mu zhduk nga sytë. Ky imazh ngacmues më la më të stresuar dhe plot me dyshime. Çfarë sfidash më duhet të kaloj? Çfarë përmbajnë këto sfida? Maja e malit ishte vërtet një vend i qetë dhe shumë i shndritshëm. Nga kaq lart, mund të shihet grumbulli i vogël i shtëpive në Mimoso. Është një pllajë e mbushur me rrugë të rrëpirta plot me bimësi në të gjitha anët. A do ti realizojë planet e mia ky vend i shenjtë, i paprekur nga natyra? A do më bënte vallë një shkrimtar me të nisur udhëtimin? Vetëm koha mund ti jepte përgjigje këtyre pyetjeve. Meqë gruaja po vonohej pak, fillova të meditoja në majën e malit. Përdora këtë teknikë: së pari, çlirova mendjen (duke mos pasur asnjë mendim). Nisa të jem në harmoni me natyrën përreth meje, duke soditur me mendje të gjithë vendin. Nga këtu, nis të kuptoj se jam pjesë e natyrës dhe se ne jemi të bashkëngjitur në një ritual të madh lidhjeje shpirtërore. Heshtja ime është heshtja e Mëmës Natyrë; e qara ime është gjithashtu e qara e saj; Dalngadalë, nis të kuptoj dëshirat dhe aspiratat e saj, dhe anasjelltas. E ndjej tek kërkon ndihmë e stresuar, tek përgjërohet që ti shpëtohet jeta nga shkatërrimi që po i bëjnë njerëzit: Shpyllëzimi, aktiviteti i nxjerrjes minerare, gjuetisë dhe peshkimit pa kriter, emetimi i gazeve ndotëse në atmosferë dhe mizoritë e tjera që bëjnë njerëzit. Po kështu, ajo më dëgjon dhe më mbështet në të gjitha planet që kam. Ne jemi krejt të kyçur gjatë meditimit. E gjithë harmonia dhe bashkëpunimi më ka lënë totalisht në heshtje dhe të përqendruar në dëshirat e mia. Derisa diçka ndryshoi: Ndjeva të njëjtën prekje që më zgjoi njëherë më parë. Hapa sytë, ngadalë, dhe pashë se gjendesha ballë për ballë me po atë grua që e quante veten roja e malit të shenjtë.