I ndjekur nga Kobayashi dhe Maoko, Drew doli nga laboratori dhe iu avit shkallëve lart. Shpalosi derën e laboratorit tjetër, duke lënë të shushatur disa studentë në punë, dhe u drejtua drejt zonës së mësipërme të makinerisë.
Pikërisht atje, mbështetur në dysheme, kishte një fletë hekuri të zinkuar, të trashë disa milimetra dhe të gjerë dy metra me dy.
<Ja!> bërtiti Kobayashi, duke treguar një anë të fletës.
Maoko pa dhe filloi të konfirmonte, duke shkarkuar me një frymëmarje të thellë tensionin e grumbulluar gjatë atyre orëve.
<Nuk arrinim të kuptonim pse pika B nuk zhvendosej asnjëherë, çfarëdo gjëje që të bënim. Tani është e qartë.> shpjegoi e ngazëllyer, <Kjo fletë bën rolin e pllakës dytësore në lidhje me pllakëzën e pikës A. Është paralele me të dhe ka tension referues zero, sepse është e vendosur në tokë!> dhe tregoi të njëjtën pikë që tregonte më parë Kobayashi.
Duke ndjekur gishtin e vajzës, Drew pa që bordi i fletës së zinkuar prekte tubin e shkarkimit të lavamanit të shërbimit të laboratorit. Tubi metalik ishte i lidhur me sistemin e shkarkimit, që mbaronte në tokë, diku vërdallë. Pasi toka është referimi i tensionit zero për shumë sisteme ushqimi elektrik, ajo pllakë kishte marrë një rol të rëndësishëm në eksperimentin e çuditshëm të Drew-së.
<Nëse kjo pllakë nuk do kishte qenë këtu, ose e palidhur me tokën, dispozitivi im nuk do kishte prodhuar kurrë fenomenin që po studiojmë.> Vërejti Drew. <Çmenduri.>
<Këto janë kushtet që bëjnë të përparojë raca njerëzore, miku im.> deklaroi Kobayashi i kënaqur.
Drew u kthye nga studentët që i vëzhgonin të shpërqëndruar.
<Ti!> iu drejtua një djali me pamje të zgjuari, <Shko menjëherë të thërrasësh mësuesin tënd!>
<Nuk ka nevojë që të nxehesh shumë, Drew. Jam këtu prej kohësh.> Një zë i qetë dhe i paqëndrueshëm u shfaq nga mbrapa perdes së krijuar nga studentët, ndjekur pastaj nga pronari i tij.
<Oh, ehm, më fal, Morton...> ia bëri i sikletosur Drew, <është rasti që piastra jote është një element thelbësor i eksperimentit që po zhvillojmë poshtë. Të vjen keq ta lësh aty ku është për disa orë?>
<Nuk ka problem, koleg i dashur.> iu përgjigj Morton i rezervuar. <Vazhdo punën me qetësi. Por...> dhe e pa duke qeshur <...më detyrohesh një pije!>
<Mund të kesh besim, Morton, faleminderit.>
Ndërsa ktheheshin poshtë, Kobayashi bisedoi pak me Maokon, pastaj azhornoi Drew-në.
<Tani duhet të ndërtojmë një pllakë dytësore të përdorshme në mënyrë praktike. Do të na duhet një fletë katrore me brinjë prej njëzet centimetra dhe trashësi një milimetër. Do ta fiksojmë në një mbështetëse të rregullueshme dhe do ta vendosim fillimisht dhjetë centimetra mbi pllakën pika A. Kuptohet do ta lidhim në tokë, që të ketë të njëjtën sjellje elektrike të fletës së madhe në laboratorin e shkencës së materialeve.>
Drew u vu menjëherë në punë dhe në më pak se një orë pllaka dytësore ishte gati.
Kobayashi e sistemoi siç ishte projektuar, pastaj kërkoi në kutinë e mostrave diçka për të vendosur në pikën A. Kutia ishte plotësisht e zbrazët: kishin përdorur gjithçka që iu ishte vënë atyre në dispozicion.
<Nuk ke më asgjë çtë përdorësh, Drew?> pyeti i paduruar Kobayashi.
<Lermë të shikoj...> Drew pa përreth dhe, duke mos gjetur tjetër gjë, mbërtheu një gotë plastike plot me gjilpëra transparente kristali dhe ia ofroi japonezit.
<Përdor këtë. Nuk e di çështë, po besoj asgjë e veçantë.>
Kobayashi mbështeti gotën mbi pllakën e pikës A, pastaj, pa prekur asnjë rregullim, i bëri një shenjë Maokos.
Ajo shtypi tastin e aktivizimit dhe në çast një shpërthim i fuqishëm shkundi laboratorin.
Të gjithë u shtrinë përtokë të tmerruar. Drew nuk arrinte të merrte frymë dhe u lëshua drejt derës. E hapi dhe u kthye mbrapsht për të ndihmuar të tjerët.
Novak ishte shtrirë mbi dysheme me fytyrën përmbys, pa ndjenja. Schultz dhe Kamaranda po ngriheshin në atë moment; duke gulçuar ngritën norvegjezen, duke e kapur indiani nga sqetullat dhe gjermani nga këmbët, dhe e nxorrën jashtë.
Maoko dhe Kobayashi kishin dalë tashmë vetë përjashta dhe po merrnin ajër me frymëmarrje të thellë.
Drew e kishte marrë veten goxha mirë dhe nxitoi për tek Novak. Kamaranda po e shkundte fort, ndërsa Schultz i mbante këmbët pak të ngritura për të ndihmuar qarkullimin. Në pak sekonda gruaja u përmend dhe me ndihmën e kolegëve u ngrit në këmbë.
Ndërkohë kishin ardhur shumë persona nga zona rreth e qark.
Drew nxitoi të zvogëlonte ngjarjen për të mos tërhequr vëmendjen mbi studimin sekret në vijim.
<Shpërtheu një ushqyes, asgjë e rëndë. I dini këto punë, gjëra të vjetra, nuk ka para për të blerë të reja, dhe kështu ndodhin këto gjëra.>
Studentë e kolegë nga laboratorët e tjerë pohuan të kuptueshëm dhe, pasi panë që personat e ngatëruar në aksident ishin të gjithë mirë edhe pse lehtësisht të çoroditur, iu kthyen detyrave të tyre.
Në atë moment mbërriti profesoresha Bryce.
Kishte dëgjuar shpërthimin nga larg, ndërsa ishte drejtuar tashmë në laborator, dhe kishte nxituar të mbërrinte.
<Çfarë keni ngatërruar?> pyeti e shqetësuar duke i parë të katandisur kështu, me rrobat e rrudhosura dhe flokët të ngatërruar.
<Nuk e dimë akoma.> u përgjigj Drew duke parë përreth i kujdeshshëm, për të qenë i sigurtë që nuk kishte mbetur ndonjë i huaj të dëgjonte.
U futën përsëri me kujdes në laborator.
Banaku i eksperimentit ishte në rregull.
Drew erdhi vërdallë nëpër ambient dhe papritur e pa!
Në zonën e freskimit, kana e ujit kishte shpërthyer.
Ishte një kanë prej dhjetë litra dhe nuk kishte mbetur asnjë copë nga plastika që e përbënte. Gjithçka përreth, objektet metalike ishin djegur dhe nxirrnin tym akoma. Muri ishte nxirrë dhe mbi dysheme njolla të lëngshme pa ngjyrë ishin përzier me pjesë të rëna nga pajisjet e dëmtuara.
<Po çfarë keni bërë?> pyeti sërish Bryce.
Kamaranda, Schultz dhe Novak panë në mënyrë pyetëse Drew-në dhe dy japonezët.
<Ehh, kemi ndërtuar një pjesë të re për makinerinë, e kemi montuar dhe kemi provuar të transferojmë një mostër. Kaq.> tha i pasigurtë Drew.
Maoko dhe Kobayashi shikonin pa shprehje përpara vetes.
<Një mostër? Çfarë mostre?> u informua e alarmuar Bryce.
<Ehm...> rifilloi Drew, <...në të vërtetë, mostrat kishin mbaruar, prandaj pashë vërdallë dhe gjeta një gotë plot me kristale trasparente në formë gjilpëre ... si këto këtu.> dhe tregoi një gotë identike me të parën, mbështetur mbi një raft.
Profesoresha Bryce u zverdh.
<Faqezi> bërtiti, <ai është jodur beriliumi!>
Të gjithë të pranishmit e panë me pamje budallai.
<Po nuk e kuptoni?> bërtiti ajo akoma më fort. <Joduri i beriliumit është shumë lagështithithës dhe reagon dhunshëm me ujin! Dhe reaksioni prodhon acid jodur, një nga acidet më gërryes që ekzistojnë! Jeni me fat që jeni akoma kokë e këmbë. Po si ju shkoi në mend ta drejtonit pikërisht brenda kanës së ujit?>
Dy japonezët vazhdonin të heshtnin, por Drew i pa në mënyrë kuptimplotë.