Cane Gentian - Atropos стр 2.

Шрифт
Фон

“Do kisha preferuar ta filloja ditën ndryshe”, u shpreh Xamanji, “A dihet ndonjë informacion më shumë? Dua të them, referuar nga ky personi që ka telefonuar.”

“Zonja tha se kishte mbërritur në shtëpinë e vajzës së saj dhe se ajo nuk ia kishte hapur derën pavarësisht se zilja kishte rënë disa herë, kështu që zonja, që me sa duket kishte çelësat e apartamentit, u kthye në shtëpinë e vet, mori çelësat dhe, kur hapi derën, e gjeti atë të shtrirë në dysheme në dhomën e ndenjes.”

“Kuptova.”, tha Xamanji dhe, pas një pauze të shkurtër, shtoi: “E pse duhet të jetë vrasje? Nuk mund të ketë vdekur nga shkaqe natyrale? Një aksident?”.

“Nuk e di”, iu përgjigj kapiteni, “Besoj se gjëja më e mirë është të shkojmë në vendngjarje dhe të mundohemi të kuptojmë diçka më shumë për atë që ka ndodhur... Zonja që telefonoi, po pret që të shkojmë atje dhe unë i thashë që të rrinte në dispozicion për çdo gjë.”

“Dakort.”, tundi kokën Xamanji, “Tani po shkoj që të kontrolloj.”

Vajza gjendej akoma e shtrirë mbi dysheme, pikërisht në po atë pozicion ku e kishte gjetur e ëma.

“Nuk kam prekur asgjë, mund t’ju siguroj për këtë”, tha zonja sikur të shfajësohej menjëherë për diçka që nuk e kishte bërë, pasi i pa ata t’i tregonin distinktivin e policisë.

“Keni qenë në rregull”, iu përgjigj Xamanji. “A mund ta di si e keni emrin?”

“Kiara. Kiara Balxani.”, u prezantua ajo. ”Dhe ajo është vajza ime”, shtoi më tej, duke u kthyer nga trupi i vajzës, sikur të qe akoma gjallë.

“E kuptoj. A mund të na thoni edhe emrin e vajzës suaj, ju lutem?”

“Oh.. sigurisht, më duhet t’ju kërkoj ndjesë. Jam akoma e tronditur për atë çfarë ka ndodhur. Quhet... quhej... Luçia Mistroni.”

“Ju faleminderit.”, foli Xamanji, dhe pastaj shtoi: “A mund ta di se cila është arsyeja që nuk hezituat të njoftoni policinë? Dua të them, e ndjera mund të ketë pasur ndonjë infarkt apo mund të ketë vdekur nga ndonjë lloj tjetër shkaku natyral, apo jo?”. Dhe, duke u kthyer nga agjenti Marko Finoki që kishte afër, tha: “Të marrim shënim çdo gjë.”

Agjenti tundi kokën.

“Pyetja juaj është e drejtë, por siç duket vajza ime kishte ca kohë që merrte telefonata kërcënuese. Prandaj mendja më shkoi menjëherë te një vdekje jo natyrale, dhe kështu që ju telefonova.”

“Telefonata kërcënuese? Po dihet se kush i telefononte?”

“Jo, edhe pse kam patur gjithmonë dyshimin ose edhe bindjen, nëse mund ta quani kështu, dhe kjo ishte edhe ndjesia e vajzës sime, se ai që e telefononte qe një ish i fejuar i saj.”, sqaroi gruaja. “Marrëdhënia e tyre kishte përfunduar në mënyrën më të shëmtuar, ishin grindur vërtet shumë keq. Në periudhën e fundit të fejesës ata grindeshin shpesh.”

“E kuptoj”, tundi kokën Xamanji, “Do na nevojitet që të dimë çdo gjë mbi vajzën tuaj. Mosha, ça pune bënte, pasionet që kishte, adresat dhe emrat e miqve të saj. Po ky ish i fejuari i saj? A dini të na thoni emrin e tij? Çdo lloj informacioni që dini rreth atij. Dhe... diçka tjetër: aktualisht vajza juaj ishte e martuar? E fejuar? Beqare? E shikoni pra, nuk mund të përjashtojmë asnjë pistë hetimi”

“Me aq sa di unë, tani Luçia ishte beqare.”

Inspektori bëri një pauzë të shkurtër për të vështruar rreth e rrotull.

Apartamenti, i vendosur në katin e parë të një pallati të vogël i ndërtuar rishtazi në periferi të Bolonjës, dukej elegant, nga ata modernët, me një arredim thuajse minimal dhe kombinime të krijuara me goxha shije. Nëpër dritare nuk kishte grila dhe, gjatë ditës, drita e diellit ndriçonte përsosmërisht çdo pjesë të tij.

“Apartamenti ishte në pronësinë e vajzës suaj?”, pyeti agjenti Finoki.

“Po, sigurisht.” Me sa dukej, zonjës Balxani kjo i dukej një pyetje fare pa lidhje.

Vajza ime e kishte paguar plotësisht apartamentin, sqaroi e ëma.

Dhe më tej sqaroi edhe se Luçia Mistroni kishte një pozicion goxha të rëndësishëm në kompaninë ku punonte, edhe pse e bija kurrë nuk e kishte saktësuar mirë se cili qe pozicioni i saj.

“Atëherë? A mund të na thoni emrin e ish të fejuarit të vajzës suaj?”, pyeti Xamanji.

“Po, më falni.”, tha zonja Balxani. “Personi që kërkoni quhej Paolo Karnevali. Nëse nuk ka lëvizur prej andej, banesa e tij gjendej në rrugën Krakovia, në krah të Parco dei Cedri, numri... 10, besoj”.

“Shkëlqyeshëm. Për momentin ju faleminderit zonjë. Kini parasysh se çdo lloj informacioni që do të dini, do të jetë me vlerë për hetimin. Edhe diçka tjetër: Policia Kriminalistike do duhet të kontrollojë çdo centimetër të këtij apartamenti, me shpresë se kjo mund t’i shërbejë gjetjes së autorit të këtij krimi, për të cilin do jetë krejtësisht e pamundur hyrja e tij këtu brenda gjatë ditëve në vazhdim. Do vendosim menjëherë shenjat vulosëse.”

Zonja tundi kokën në shenjë dakordësie.

“Do të bëj të pamundurën për të gjetur vrasësin.”

Pasi u përshëndetën dhe zbritën përsëri në rrugë, inspektori Xamanji dhe agjenti Finoki u nisën në drejtim të zyrave të Qendrës Operative.

III

Nuk ishte kushedi se çfarë, por tani ndoshta kishte gjetur një pistë hetimi, në pritje për të mësuar rezultatet nga kontrolli në apartamentin e Luçia Mistronit.

Nga orari i drekës, inspektori Xamanji bashkë me Marko Finokin, u paraqitën të dy në apartamentin numër 10 në rrugën Krakovia për të folur me Paolo Karnevalin.

I ranë ziles pa marrë përgjigje, pritën ca minuta dhe arritën të hynin në pallat në sajë të një zonje të moshuar që po kthehej nga shëtitja me qenin e saj.

“A mund të hyjmë, zonjë?”, pyeti Zamanji.

“Më vjen keq, nuk pranojmë shitësa derë më derë. Prandaj, nëse ju jeni ndonjë nga ata, mund të më kurseni mundimin dhe të ndryshoni destinacion.”

“Po kërkojmë zotin Karnevali. E njihni?”

“Kush e kërkon?”, dëshironte të dinte zonja, ndoshta duke mos dashur që të kishte të bënte me të panjohur.

“Kemi nevojë të flasim me të. Nuk kemi për qëllim që ta bezdisim ose t’i bëjmë keq”, sqaroi inspektori, duke i treguar kartën identifikuese.

“Oh, ça dreqin..”, ishte reagimi i të moshuarës, “Ça ka ngatërruar ai djalë? Më duket në rregull ai djalë.”

“Mos u shqetësoni”, e qetësoi agjenti Finoki, “Duam vetëm të flasim me të.”

“Sidoqoftë besoj se ai është në punë në këtë orë”, sqaroi gruaja.

“Por kur mund ta gjejmë? A keni ndonjë ide se kur kthehet?”

“Vetëm në rast se nuk ka ndonjë angazhim të veçantë pas pune, përgjithësisht e takoj nga ora 18 apo 18:15 në çdo ditë të javës. Dal me Tobin për shëtitjen para mbrëmjes dhe, kur kthehem, ai gjendet duke parkuar ose duke zbritur shkallët.”

“A dini të na thoni se çfarë makine ka zoti Karnevali?”

Kjo pyetje e gjeti të papërgatitur zonjën, pasi nuk ishte fare eksperte në fushën e automjeteve. Të vetmet mjete transporti që njihte mirë ishin autobuzët që i përdorte kur shkonte nga shtëpia deri në qendrën e qytetit të dielën mbasdite.

“Ju faleminderit përsëri, zonjë.”, tha Xamanji, “Do kalojmë prapë këtej në mbrëmje.”

Përshëndetën të dy zonjën dhe Tobin, që do t’i shkonte nga pas për të marrë të paktën disa përkëdhelje prej ndonjërit prej tyre, dhe pastaj u kthyen tek makina me të cilën kishin ardhur.

Nuk do kishte kuptim që të prisnin shumë orë deri në mbërritjen e Paolo Karnevalit, kështu që vendosën të shkonin në Qendrën Operative dhe Xamanji do të përfitonte kështu për të marrë ndonjë lajm të mundshëm nga Kriminalistika dhe nga pathologu që qe ngarkuar për të kryer autopsinë.

Prindërit e tij ishin vërtet të lumtur për të, e shihnin të kënaqur, dhe ndiheshin krenarë edhe tek të afërmit dhe miqtë e familjes.

Përveçse shkonte në shkollë, kryente edhe ndonjë punë të vlefshme dhe fitimprurëse, për aq pak para sa mund të merrte.

Nuk do të ishte shumë, por për një djalë që studion është gjithnjë më mirë sesa asgjë fare.

Kjo ishte ajo çka tregonin për punën që kishte gjetur i biri.

Ваша оценка очень важна

0
Шрифт
Фон

Помогите Вашим друзьям узнать о библиотеке

Скачать книгу

Если нет возможности читать онлайн, скачайте книгу файлом для электронной книжки и читайте офлайн.

fb2.zip txt txt.zip rtf.zip a4.pdf a6.pdf mobi.prc epub ios.epub fb3

Популярные книги автора