KAPITULLI 4
Bastard! Je një bastard i ndyrë, po! Unë të dhurova dashurinë time dhe ti e morre bashkë me trupin tim. Ti ke marrë gjithçka nga unë, edhe shpirtin tim. Dhe tani nuk gjen forcën të më pranosh për atë që jam dhe atë që të kam dhënë, fshihesh pas justifikimeve më të poshtra dhe e quan fryt i mëkatit! Të kam thënë të zgjedhësh, por duhet ta bësh tani, nuk jam më e gatshme të pranoj më asgjë dhe asnjë! Duhet të zgjedhësh midis ne të dyjave, dhe duhet të jetë zgjedhja jote përgjithmonë. Po më detyron të të urrej, je një i poshtër. Nuk e meriton dashurinë time dhe nëse nuk merr një vendim, nuk do ta kesh më! Ik larg, ik! Liro sytë e mi dhe jetën time nga prania jote e parehatshme, ik tutje përgjithmonë. Nuk dua të të shikoj më, kurrë më! Kam besuar tek ty dhe ti më asgjësove, u poshtërova përpara familjes sime, njerëzve të mi, për ty. Dhe ti në këmbim ke shkelmosur atë pak nder që akoma më kishte mbetur dhe ke larguar thërrimet e krenarisë së një gruaje që akoma mbroja me dhëmbët shtrënguar, pasi kisha vendosur të rrija me ty. Shko tek ajo atëherë! Shko Ik menjëherë! Je i vdekur për mua, tani dhe përgjithmonë! Bastard i ndyrë!
Natën hapa sytë, isha e lagur nga djersët. Ndieja nxehtësinë të më mbështillte plotësisht, në të gjithë trupin. Pashë orën me zile, kishte kaluar tre i natës vetëm prej disa minutash. Televizori kishte mbetur i ndezur, po transmetonte një koncert rrok të viteve tetëdhjetë. Në dhomë mbizotëronin shkëlqimet me dritë të përhershme të llampave psikodelike, të përshtatura nga kamerat dhe të kthyera nga skena në të cilën ata këngëtarë të çmendur ishin duke performuar. Muzika ishte ndërprerë herë pas here nga ndonjë bori e shurdhër e makinave që ende kalonin në rrugë, poshtë hotelit. U ngrita dhe dola në dritare të shikoja jashtë, përtej perdeve. Nuk e prisja një kaos të tillë në atë orë të natës, mu duk shumë i çuditshëm, atipik për një ditë në mesjavë në një rrugë mjaft periferike në krahasim me qendrën e qytetit.
«Çfarë furie absurde!», i pëshpërita vetes ndërsa po i mbyllja me vështirësi perdet errësuese të dritares, që po i bënin një farë rezistence rrëshqitjes së grepave në shinë. U ktheva në shtratin tim për të provuar të përpiqesha të rikuperoja gjumin e ndërprerë. Rrotullohesha vazhdimisht në krevat, siç kthehet salsiçia e një hotdogu në pllakën e nxehtë për të evituar që të digjet, nga njëra anë në tjetrën, por thjesht nuk mund të më zinte gjumi. Isha e shqetësuar, por çfarë ishte ajo që më mbante në atë gjendje thjesht nuk mund ta kuptoja.
«Përpiqu të flesh Kate, dreqin! Nesër do të jetë një ditë e gjatë dhe e vështirë!», qortoja veten me zë të lartë, e bindur se fjalët kishin më shumë forcë sesa mendimet. Sa më shumë e bëja, aq më shumë ndjeja eksitimin për diçka të pakapshme që rritej dhe hapte me forcë vend në trupin dhe në mendjen time, duke u tallur me mua. Çfarë po bënte John në atë moment? Gjumë do të kishte qenë përgjigjja më e qartë, por edhe më pak interesante. Ndoshta po mendonte për mua? Apo ndoshta kishte një grua me të në shtratin e tij në atë moment? Nuk më kishte folur për familjen e tij, dija vetëm që ishte ndarë. Ose ishte një qejfli grash, një burrë në kërkim të një gruaje të re për çdo natë. Unë ndoshta dukesha si një pre e mundshme për atë mbrëmje, por i kishte shkuar keq! Bëra një buzëqeshje të ndrojtur të kënaqur, por menjëherë e kuptova se e kisha gabim.
«Nesër do të shohim se si do të shkojnë gjërat, tani fli», u sigurova duke u vetëftuar për tu shplodhur. Dalngadalë kllapa e nxehtësisë mbytëse e kishte çliruar trupin tim, duke i lejuar lëkurës sime të rifreskohej dhe djersës të thahej, derisa u zhduk plotësisht. Ndihesha më e qetë, më e relaksuar. Të mendoja për atë njeri, për më mirë ose për keq, më sillte qetësi. Dhe me këtë mendim ankoruar në mendjen time dhe imazhin e tij gjallërisht të ndezur para syve të mi, trupi im i lejoi gjumit të vinte dhe të më zinte, për të më dalë pastaj kur drita e natyrshme e ditës filloi të filtrohej përmes perdeve, të mbetura vetëm gjysmë-mbyllur gjatë natës. Një rreze dielli, e ngjashme me një shpatë e bërë vetëm nga drita, mbulonte dyshemenë e dhomës, duke e përshkuar plotësisht nga njëra anë në tjetrën. Kishte kaluar ora shtatë e mëngjesit prej një kohe të gjatë dhe ende duhej të përgatitesha para se të zbrisja në holl për mëngjes, ku do të shihja sërish John-in. Hyra në banjo dhe u pashë në pasqyrë, tani e lirë nga gjurmët e avullit të formuara natën e kaluar. Sytë e mi ishin të fryrë, nuk do të kisha ofruar një pamje të mirë të personit tim në ato kushte, e kuptova menjëherë. U përpoqa të mbuloja atë deformim me tualet, por rezultati në fund ishte vetëm i pjesshëm, vërtetë i varfër. Nuk mund të bëja asgjë, siç më kishte ndodhur herë të tjera, ënjtja do të kishte ikur vetë gjatë ditës. Kisha njëfarë përvoje të tillë. Por pse pikërisht atë ditë, dreqin? John do të kishte qeshur me mua, do të ishte çuditur me mrekullitë që dritëhijet e mbrëmjes mund të bëjnë në imazhin e një gruaje të papërsosur. Megjithatë, një natë më parë sytë e mi më shihnin kaq të bukur! E gjeta zgjidhjen, do të kisha shfaqur një dekolte të madhe. Do të kisha përdorur armët e mia më të mira për të devijuar shikimin e tij nga sytë e mi, për ti dhënë vlerë diçkaje që ishte më tërheqëse dhe e menjëhershme për të! Në fund të fundit ishte një burrë, duhej të vlerësonte tiparet e një gruaje. Shtrëngova pra gjinjtë në duart e mia për ti bashkuar. Vërtet aspak keq Kate! Vesha një këmishë pambuku elastin, pa reçipeta, shumë të ngushtë dhe me një dekolte me të vërtetë bujare. Ishte e vetmja që kisha, ishte ngjyrë rozë. Nxitova për në banjë për tu parë dhe për të bërë ndonjë rregullim të përshtatshëm. Je perfekte Kate, je vërtet një bombë! mendova, krenare për veten dhe që zotëroja një trup të tillë. Unë vetë nuk i pashë më sytë e mi, tani të kaluar në plan të dytë. Përfundova së veshuri me nxitim dhe pas një ekzaminimi të fundit para pasqyrës, ndihesha gati. Sapo morra çelësin e dhomës, u katapultova në korridor, drejtur tek ashensorët. Brava e sigurisë në derën e dhomës u fut menjëherë automatikisht pas mbylljes së derës pas kurrizit tim. Ashensorit iu deshën disa sekonda përpara se të arrinte në katin tim dhe kur u hapën dyert, brenda ishte një burrë mjaft i shëmtuar, që vinte erë të keqe dhe shumë i shëndoshë, pothuajse obez. Kishte një model qesharak të flokëve në kokën e tij pothuajse tullace që, me sa duket, donte ta mbulonte me çdo kusht. Po të kisha qenë në vendin e tij, do të kisha menduar për një paruke. E kishte mbajtur shikimin e tij manjak të fiksuar në gjoksin tim për gjithë kohën që mu desh të arrija në holl. Funksionon, mendova dhe menjëherë harrova ndjenjën e bezdisë që ai vështrim këmbëngulës do të më kishte shkaktuar në një situatë tjetër. Përkundrazi, i isha pothuajse mirënjohës që më siguroi provën që kërkoja për efektivitetin e asaj përshtatjeje të vogël që kisha planifikuar për tu shfaqur tërheqëse në sytë e John-it.John ishte ulur në holl, më priste ndërsa shfletonte një nga revistat e vëna në dispozicion të klientëve dhe vizitorëve. Ishte elegant, si një ditë më parë. Kishte veshur një këmishë të kaltër me një kravatë të hollë, me vija ngjyrë ari dhe të zeza. Mbi këmishë kishte xhaketën e ditës së mëparshme. Pantallonat formonin një kostum me xhaketën, tregonin një suvatim të lehtë që nuk e kisha vënë re mbrëmjen e mëparshme. U afrova me hap të shpejtë, ndërsa ai më vuri re, duke ndjekur me shikim ecjen time.