Maurizio Dagradi - Kriteri I Leibnizit стр 6.

Шрифт
Фон

Marron u zgjua herët, në agim. Normalisht në mëngjes nuk kishte asnjë vështirësi për tu ngritur, dhe edhe këtë herë, pavarësisht lodhjes së natës, nuk ndryshoi. Por qëndroi edhe pak në shtrat, për të peshuar çfarë kishte ndodhur, dhe filloi të pyeste veten se ku mund ti çonte mjeti materialet e shkëmbyera. Ndoshta në një faltore japoneze? Apo në një shkretëtirë australiane? Ose ndoshta në një fshat të largët afrikan?

<Eh! Nëse ka një mënyrë për ta zbuluar, do ta zbulojmë!>, përfundoi në mënyrë filozofike.

Zbriti në kuzhinë dhe gjeti Drew-në që po përgatiste një mëngjes të bollshëm për të dy.

U përshëndetën dhe iu sulën me shije të dy vezëve me pançetë, të shoqëruara me nga një çaj të mirë.

Gjatë vaktit folën pak, pasi koha nuk mjaftonte.

Pasi mbaruan mëngjesin, Drew i telefonoi sekretares së Universitetit për ta njoftuar që do të vonohej.

Ndërsa Marron nuk kishte mësim atë mëngjes, pra ishte i lirë.

U përgatitën dhe dolën.

Fillimisht shkuan tek një noter mik i Drew-së. Pas shpjegimeve të shkurtra, përgatiti një dokument në të cilin deklarohej që në atë datë zotërinjtë Lester Drew dhe Joshua Marron kishin zbuluar një efekt të ri fizik, i cili përshkruhej në mënyrë të përgjithshme, dhe që ky efekt ishte prodhuar nga një pajisje ndërtuar nga Drew dhe përshtatmërisht rregulluar nga Marroni. Macja nuk përmendej.

Pasi firmosën sipas rregullit të dy hipën në makinë dhe Drew ngau makinën deri në parkimin afër zyrës së rektorit.

Njoftuan mbërritjen dhe pak minuta më vonë hynë.

Rektori McKintock jetonte në atë zyrë në mënyrë spartane dhe pa stoli. Vetëm gjërat kryesore dhe më të nevojshme lejoheshin në atë ambient. Vetë pamja e rektorit përçonte qetësi dhe efikasitet.

<Drew, miku im, çfarë mund të bëj për ty?>, vetëm një shikim Marronit, pa asnjë përshëndetje.

<Përshëndetje, McKintock. Kam një zbulim.>

Thelbi i konfirmimit të Drew-së bëri që balli i rektorit të rrudhej, duke prishur maskën e ftohtë që ishte mësuar të paraqiste në vendin e punës. Ajo maskë duhej të shprehte vetëkontroll dhe kontroll të plotë mbi gjithçka dhe për çdo gjë, dhe ishte një ndihmë për të ruajtur shkallën hierarkike në rregullin e duhur.

McKintock e dinte që Drew ishte i zoti, por nuk priste që, në të gjashtëdhjetat, fizikanti të prodhonte diçka të veçantë, pas një jete të harxhuar në hijen e mësimdhënies dinjitoze por anonime.

<Një zbulim? Cilin?>

<Unë dhe studenti Marron kemi vënë në punë një pajisje që është në gjendje të shkëmbejë midis tyre dy vëllime hapësire, në mënyrë të menjëhershme dhe me harxhim të vogël energjie.>

Rektori ishte profesor i letërsisë së vjetër dhe fizika për të ishte një botë pa peshë dhe e pakuptueshme. Konceptet si hapësirë-kohë, relativitet apo edhe strukturë e atomit për të ishin të panjohura.

Mendoi se e kuptoi atë që Drew kishte thënë, dhe e pa me një hije sarkazme, pastaj morri në të njëjtën kohë nga tavolina një kapesë dokumentash dhe një mbajtëse syzash, kryqëzoi krahët dhe iu këmbeu vendet.

<Nuk më duket një zbulim i madh, Drew. Arrij ta bëj edhe unë veç me duar dhe pa ndihmën e mjeteve, siç e sheh.>

<Të lumtë, po a i ke krahët aq të gjatë për ta bërë midis Manchester-it dhe Pekinit?>, Drew i njihte boshllëqet shkencore të McKintock-ut dhe i njihte edhe prirjet e tij për sarkazëm, dhe kishte vendosur tiu përgjigjej rimave të tij.

<Si, Pekin?>, rektori ishte konfuz.

<Pikërisht kështu, McKintock>, e nxiti Drew, <mjeti ynë është në gjendje të kryejë shkëmbimin në një largësi që mendojmë se varet nga rregullimet e tij, por sigurisht që flitet për kilometra, qindra dhe pse jo mijëra.>

<Në çkuptim, mendojmë?>, McKintock kishte marrë kontrollin e situatës.

<Në kuptimin që kemi punuar natën dhe kemi arritur të nxjerrim shumë të dhëna thelbësore mbi funksionimin e dispozitivit, ndërsa duhet akoma të përcaktojmë ku punton mjeti dhe si të ndryshojmë këto koordinata. Pasi shkëmbimi nuk kishte si destinacion ambientin e brendshëm të laboratorit, është e qartë që për momentin kjo mbetet një e dhënë për tu përcaktuar.>

Drew e kuptoi pak si vonë që fjala mendojmë e kishte bërë të humbiste avantazhin që kishte mbi rektorin, dhe ky mund të ishte një problem.

Ndërkohë u dëgjua një trazirë në sekretari. Një derë e përplasur, hapa të kujdesshëm dhe një zë i mprehtë femëror që sulmonte sekretaren, pastaj përsëri hapat e kujdesshëm, me shumë tik-take të takave, dhe dera e rektorit që hapej papritur, me profesoreshën Bryce që hynte si një tërbim dhe drejtohej me vendosmëri tek tavolina, pa dashur të dijë për miqtë.

Nëpërmjet derës së hapur, sekretarja e tronditur hapi krahët dhe tundi kokën, duke i komunikuar rektorit që nuk kishte mundur ta ndalte.

<Rektor McKintock!>, ia filloi gruaja me zërin që i ndryshonte, pothuajse duke gërthitur, <këtë herë është me të vërtetë e tepërt! Shikoni çfarë kam gjetur sot në mëngjes në karrigen e tavolinës time!>

Profesoresha vringëlloi një qese plastike transparente, në të cilën kishte disa objekte me ngjyra të ndryshme.

<Mbërrita në zyrë dhe u ula, dhe papritur kuptova që poshtë kisha këto gjëra. Shikoni çfarë pisllëqesh: qelq, metal, plastikë dhe, ooooh, mbeturina ushqimi! Më prishën fundin dhe nuk di nëse do mund ta shpëtoj. Nxënësit e vitit të dytë e kanë tepruar këtë herë dhe unë pres që ju të merrni masa për këtë rast. Për veten time e di unë si ti sistemoj!>

Gjatë këtij monologu, Marron dhe Drew ishin zbardhur papritur: në fakt në përbërësit e qeses kishin njohur materialet që kishin shkëmbyer gjatë natës. Misteri i piketimit të instrumentit ishte zgjidhur, por tani kishin një problem më të afërt.

McKintock kishte mbetur i pandjeshëm përballë zemërimit të Bryce, në fakt shakara të tilla ndodhnin me një frekuence të matur dhe mendonte se ky ishte një nga rastet e shumta, duke mos qenë në gjendje të lidhte zbulimin e Drew-së me objektet e skandalit.

Drew nuhati situatën, por pa edhe që profesoresha ishte shumë e zemëruar për të pranuar sqarime: donte vetëm hakmarrje. Prandaj e la që rektori të vendoste vetë.

McKintock morri një shprehje aprovimi të rreptë.

<Ju keni plotësisht të drejtë, profesoreshë Bryce. Ata studentë nuk dinë çështë disiplina dhe respekti për mësuesit, prandaj mund të jini e sigurtë që do veproj menjëherë që të zbatohet një dënim ekzemplar, pas të cilit nuk do kenë më asnjë dëshirë të bëjnë diçka tjetër veç studimit.>

Bryce pranoi përgjigjen me një gjest të thatë miratimi, pastaj u rrotullua mbi taka dhe me hapa të mëdhenj doli nga zyra duke u drejtuar në klasën e biologjisë, lënda e saj, për tju imponuar ndëshkimin e saj personal studentëve të vitit të dytë që kishin një provim me shkrim. Do tu jepte atyre një detyrë të vështirë dhe do ta vlerësonte në mënyrë që tju prishte mesataren të gjithëve.

Ata djem do të ishin viktimat e para te Shkëmbimit.

Në zyrën e rektorit, ndërkaq, atmosfera po kthehej në normalitet, pas asaj ndërprerjeje të furishme, dhe Drew morri fjalën.

<McKintock, lëri rehat ata studentë. Ato sende janë tonat. Tani e dimë ku ka puntuar mjeti: rreth treqind metra në lindje të laboratorit të fizikës.>

Ваша оценка очень важна

0
Шрифт
Фон

Помогите Вашим друзьям узнать о библиотеке

Скачать книгу

Если нет возможности читать онлайн, скачайте книгу файлом для электронной книжки и читайте офлайн.

fb2.zip txt txt.zip rtf.zip a4.pdf a6.pdf mobi.prc epub ios.epub fb3

Популярные книги автора