<Mirë.> pohoi Drew, i shqetësuar. <Vazhdojmë.>
Montuan pllakën A dhe pllakën A2, siç e kishin pagëzuar pllakën dytësore, dhe Maoko kontrolloi sërish të gjitha lidhjet dhe rregullimet.
Marron u ul përpara kompiuterit, hapi programin e duhur dhe provoi komunikimin me gjeneratorin. Funksiononte në mënyrë perfekte. U kthye drejt të tjerëve, pyetës.
Drew ishte si në gjemba. Gjthçka ishte gati për të provuar makinerinë e dytë, por ai kishte vërtet frikë se shkëmbimi mund të ndodhte me brendësinë e ndonjë personi. Do kishte qenë një fatkeqësi, një tragjedi për karrierën e tij dhe për të ardhmen e shkencës. Edhe për viktimën, në të vërtetë.
Kobayashi e shikonte siç një samurai do kishte parë një koleg që do hezitonte të vritej për nder. Drew perceptonte përçmimin e mikut të tij, por nuk mund të bënte asgjë. Nuk kishte frikë vetëm për vete, por edhe për gjithë të tjerët.
Maoko vuri duart në bel, anoi kokën dhe filloi ta shikonte shtrembër, e acaruar, në pritje.
Marron e shikonte, nervoz.
Drew hezitoi përsëri, i pasigurtë, por në fund vendosi.
<Mirë.> e vendosi. <Ta provojmë.>
Maoko iu afrua kompiuterit dhe vështroi nga Marron me shprehje kuptimplotë. Ai e kuptoi fluturimthi dhe u ngrit menjëherë, madje i lehtësuar që po i hiqej ajo përgjegjësi.
Maoko u ul dhe vendosi në çast të gjithë parametrat e nevojshëm, pastaj pa nga Drew.
<Një mostër, ju lutem.> tha me një zë të thatë si era që valëvitet në Malin Fuji.
Drew pa përreth, pastaj zgjodhi një prizëm të vogël prej qelqi dhe e mbështeti mbi pllakën parësore.
Maoko vështroi Kobayashin, i cili vëzhgoi për herë të fundit pajisjen për tu siguruar që të ishte çdo gjë në rregull dhe pastaj pohoi.
Japonezja afroi gishtin tek tasti i aktivizimit, zhvendosi shikimin mbi mostrën dhe bëri të shtypte tastin, kur një britmë e Novak e bllokoi në çast.
<Ndaloni> bërtiste duke vrapuar drejt banakut, e ndjekur nga Schultz dhe Kamaranda.
<Mos e aktivizoni makinerinë! Mos lëvizni.> urdhëroi nervoze.
Maoko tërhoqi dorën nga tastiera dhe pa me urrejtje nga Novak.
<Kemi kuptuar çështjen e koordinatave.> vazhdoi norvegjezja. <Është e lidhur direkt me largësinë midis pllakës parësore dhe asaj dytësore, sipas një funksioni matematik që do ta diskutojmë pastaj, po problemi është që sipas nesh ka edhe një lidhje të veçantë me gjatësinë e Plankut 13.>
Drew e pa i hutuar.
<Çdoni të thoni, saktësisht?>
<Dua të them që disa nga parametrat tuaj famëkeq ndikojnë patjetër koordinatat e destinacionit, por vetëm nëse vendosen në vlera të përcaktuara saktë dhe sipas kombinimeve të përcaktuara mirë.> deklaroi Novak triumfuese. <Deri sot në mëngjes destinacioni ishte vendosur në zyrën e profesoreshë Bryce vetëm sepse referimi ndaj largësisë midis pllakës A dhe pllakës së madhe në katin e sipërm nuk modifikohej nga një kombinim i përshtatshëm parametrash. Kur keni montuar pllakën e re të vogël dytësore eksperimenti funksionoi njësoj, vetëm se duke qenë më e vogël largësia midis pllakave edhe largësia e shkëmbimit është afruar. Kemi zbuluar një funksion të përafërt në gjendje të shpjegojë këtë sjellje. Për fatin e të gjithëve, në eksperimentet tuaja nuk keni gjetur akoma kombinimet vendimtare. Ka tre parametra, K9-a, K14-a dhe R11-a, që sipas nesh përbëjnë një treshe të transferimit. Treshja zhvendos pikën B nga një pozicion i thjeshtë midis pllakës A dhe pllakës A2, korrigjuar me funksionin që sapo përmenda, në një vendndodhje në hapësirë plotësisht në mënyrë arbitrare. Dhe kur them arbitrare kam ndërmend gjithkund.> Kamaranda dhe Schultz konfirmonin gjithë energji.
<Do të thotë...> belbëzoi Drew.
<Dua të them, i nderuar profesor Drew, që duke konfiguruar në mënyrë të përshtatshme treshen, mund të lidhim pikën B në një vendndodhje të çfarëdoshme të universit të njohur.> përfundoi Novak me sytë e ndritshëm dhe pamje të egërsuar.
Drew ishte sterrosur. Kishte mbajtur frymën gjatë shpjegimit të shkencëtares dhe tani kishte mungesë oksigjeni.
Marron nxirrte djersë të ftohta për aq sa sapo kishte kuptuar, ndërsa Kobayashi dhe Maoko skërmiteshin të kënaqur. Kushedi pse.
<Gjatësia e Plankut hyn në ekuacionin e transferimit duke vendosur vendndodhje diskrete për pikën B.> shpjegoi Schultz. <Kjo shpjegon që, për shembull, mund të vendosim pikën B mbi sipërfaqen e Jupiterit, në koordinata me gjerësi 30 gradë Veri dhe gjatësi 125 gradë Lindje, por as një metër më përpara, më pas, sipër apo poshtë. Vendndodhja alternative më e afërt mund të jetë në njëqind kilometra largësi. Ju morra vetëm një shembull, kini kujdes, sepse shifrat reale duhet akoma ti zbulojmë, gjithashtu nevojitet të eksperimentojmë treshet.>
<Pra...> guxoi Drew.
<Pra,> ndërhyri Kamaranda <nëse makineria që sapo keni ndërtuar ka qoftë edhe vetëm një ndryshim shumë të vogël konstruktiv ose rregullimi, vendndodhja do të jetë e zhvendosur krahasuar me atë që presim. Në vend që të jetë ku u shkatërrua kana e ujit, pika B do gjendet diku tjetër, dhe madhësia e zhvendosjes do jetë në përpjestim me gjatësinë e Plankut, sipas funksionit që sapo kemi zbuluar.>
<Makineria është e njëjtë!> bërtiti Maoko me inat, po Kobayashi i vuri një dorë mbi krah për ta qetësuar.
<Kemi rrjetat e jonizimit në 437 mikron gap14.> tha japonezi. <Mikrometri i përdorur për të kalibruar gap-in e ka rezolucionin një mikron, prandaj vlera e saktë mund të shkojë nga 436,5 në 437,4 mikron15. Hamendësojmë që gap-i është në të vërtetë baraz me 436,9 mikron. Ku do të ishte pika B?>
Novak, Kamaranda dhe Schultz shkuan tek dërrasa e zezë, fshinë një zonë jo të domosdoshme dhe zhvilluan funksionin në bazë të të dhënave reale të marra. Ekuacioni ishte kompleks dhe iu deshën disa minuta, pastaj Schultz shënoi në një fletë rezultatin dhe të tre u kthyen tek banaku.
<Duke supozuar të mos kapim një treshe,> deklaroi gjermani, <pra duke i lënë parametrat siç janë, pika B do të ishte në rreth 18,6 metra krahasuar me kanën e ujit. Drejtimin e zhvendosjes nuk dimë akoma ta përcaktojmë, pra imagjinoni të keni një sferë me rreze 18,6 metra dhe si qendër kanën. Epo mirë, pika e re B do të gjendet në një pikë të çfarëdoshme të sipërfaqes së sferës.>
Drew pa jashtë nga dritarja.
Ishte errësirë, tashmë. Pak njerëz qarkullonin nëpër korridorët e Universitetit afër laboratorit. Në katet e sipërme me shumë gjasa nuk kishte më njeri, ashtu si edhe në ambientet e afërta. Por, sipërfaqja e sferës imagjinare kalonte edhe nën tokë.
Mund të kishte tubacione gazi, atje? Drew mendonte që jo. Një ndjenjë shtypëse e pafuqishmërisë përzier me dorëzimin e pushtoi atë. I dukej sikur kishte një gur në kraharor që i pengonte frymëmarrjen. Shkoi tek dera, e hapi dhe doli në ajrin e mbrëmjes së Manchesterit të tij. Thithi ajër me frymëmarrje të thellë, në mënyrë të përsëritur, ndërsa të tjerët e shikonin nga brenda.
A mund ti kërkonte McKintockut autorizimin për të kryer një eksperiment të këtij lloji? Jo, skocezi do e kishte tallur që kishte ngritur peshë gjithë këtë trazirë dhe pastaj që nuk ishte i zoti ta kontrollonte.